Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit brenda opozitës shqiptare, duke deklaruar se ajo “ngjan si një çadër e vjetër që çahet sapo fryn era”. Sipas VLEN-it, procesi i shpërbërjes së koalicionit AKI ka konfirmuar paralajmërimet e tyre se ky projekt ishte i ndërtuar mbi mashtrim dhe interesa personale.

Në deklaratë thuhet se “koalicioni me shirit ngjitës i quajtur AKI” nuk ka funksionuar asnjë ditë si opozitë serioze dhe se largimet e njëpasnjëshme nga ky subjekt politik tregojnë qartë natyrën e brishtë dhe të pavërtetë të tij.

Sipas VLEN-it, ikja e Menduh Thaçit, largimi i Arjanit Hoxhës, Krenar Llogës dhe braktisja nga Ziadin Sela janë vetëm “simptoma të një strukture të ndërtuar mbi interesat e individëve, jo mbi interesin e qytetarëve”.

Megjithëse thekson se nuk gëzohet nga shpërbërja e subjekteve të tjera politike, VLEN paralajmëron se një opozitë e fragmentuar dëmton sistemin politik dhe i lë qytetarët pa alternativë.
“Shqiptarët meritojnë seriozitet, jo eksperimente të dështuara me shirit ngjitës”, përfundon reagimi.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume