Aliu në “Top Tema“: Kapacitetet njerëzore janë ekosistemi më i rëndësishëm në shëndetësi – kemi përgatitur regjistrin e punonjësve shëndetësorë si mjet për krijimin e politikave shëndetësore
“Politikat e vërteta reformuese në sistemin shëndetësor fillojnë atëherë kur skanohet gjendja aktuale nga aspekti infrastrukturor dhe nga ekosistemi më i rëndësishëm në shëndetësi, që janë kapacitetet njerëzore”, theksoi ministri Azir Aliu në emisionin “Top Tema“ në televizionin Telma.
Ai sqaroi se pikërisht për këtë arsye, prioritet që nga dita e parë si ministër ka qenë analiza e resurseve shëndetësore, me qëllim të shihet se ku gjendet shëndetësia nga aspekti i burimeve njerëzore.
“Në këtë moment kemi gjithsej 15.529 mjekë, prej të cilëve 14.940 janë të licencuar, ndërsa 599 janë në proces të rilicencimit”, njoftoi ministri Aliu, duke shtuar se ky regjistër i punonjësve shëndetësorë do të lidhet me qendrën qendrore të të dhënave të Ministrisë.
Ministri Aliu theksoi se ky regjistër do të jetë një mjet që do të shërbejë si bazë për organizimin, menaxhimin dhe krijimin e politikave shëndetësore. Aktualisht analizat tregojnë se shpërndarja e kapaciteteve njerëzore nuk është e përshtatshme, që do të thotë se në disa institucione ka më shumë të punësuar në një departament sesa nevoja reale, ndërsa i njëjti profil mungon në institucione të tjera.
“Sipas këtyre analizave që i kemi, dhe sipas Strategjisë Kombëtare që e përgatisim së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ne jo vetëm që do të bëjmë riorganizimin e kapaciteteve, por do të parashikojmë edhe sa profile shëndetësore do të prodhojmë, në mënyrë që t’i përfshijmë në sistematizimin e vendeve të punës”, tha ministri Azir Aliu.
Ai shtoi se me regjistrin e resurseve njerëzore shëndetësore është bërë tashmë hapi i parë: tani dihet se sa kapacitete njerëzore ka shteti, si dhe ku dhe sa mjekë janë, diçka që nuk është bërë për më shumë se 30 vite.
“Hapi i dytë është regjistri i pajisjeve, aparaturës dhe infrastrukturës, përmes të cilit do të dimë çfarë realisht kemi në dispozicion. Sa metra katrorë kemi, sa dhe çfarë lloj aparature kemi – këtë tashmë e po e bëjmë”, tha ministri Aliu, duke shtuar se me kapacitete njerëzore dhe infrastrukturore të përcaktuara qartë, bazuar në të dhëna, do të mund të krijohen politika shëndetësore për dhjetë vitet e ardhshme.
Ministri Aliu shtoi se politikat e krijuara në sistemin shëndetësor janë jo-fleksibile dhe të vjetruara, duke pasur parasysh se ka ligje në shëndetësi që nuk janë ndryshuar prej dekadash.