Nuk ka politika kombëtare të suksesshme pa përfshirjen e sektorit civil në krijimin e tyre. Për
qeverinë aktuale, kjo nuk ka dyshim dhe për këtë arsye është parim thelbësor i punës, tha
ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, në panel diskutimin të dedikuar
arsimit, në kuadër të Forumit Kombëtar për Bashkëpunim midis sektorit qeveritar dhe
joqeveritar, i cili organizohet për herë të dytë radhazi nga Qeveria dhe Civika Mobilitas.
"Kontributi i organizatave qytetare është jashtëzakonisht i rëndësishëm në avancimin e
deritanishëm të legjislacionit, në definimin e masave sistematike, projekteve dhe aktiviteteve,
në rritjen e vetëdijes për tema dhe çështje të caktuara si multikulturalizmi, toleranca,
respektimi i diversiteteve etj. Do ta zhvillojmë këtë marrëdhënie, sepse sektori civil është ai
që i vë re fillimisht sfidat dhe anomali, prandaj gjithmonë ka propozimet më të shumta dhe
më të qëndrueshme që mund të integrohen në politikat e Ministrisë", theksoi Janevska.
Gjatë takimit me përfaqësuesit e organizatave të shoqërive civile, Janevska iu përgjigj disa
pyetjeve lidhur me situatën aktuale në arsim. E pyetur se kur do të përgatitet Ligji i ri për
Arsimin e Lartë, ajo tha se pret që kjo të ndodhë deri në fund të vitit.
"Qeveria e kaluar miratoi zgjidhje ligjore shumë më të keqe se ajo që ekzistonte deri atëherë.
Shkurtuan shumë të drejta të studentëve, e bënë më të lehtë lëvizjen e kuadrit mësimdhënës
dhe shkencor, por me këtë ulën cilësinë e arsimit të lartë. Ne tani po përdorim qasje të vërtetë
inkluzive – formuam trup koordinues kombëtar për reforma dhe përmes tij po përgatitet Ligj i
ri për Arsimin e Lartë, si dhe për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore. Profesorët dhe
studentët do të thonë se çfarë është e mirë dhe çfarë nuk është. Më pas do të pasojë diskutim
publik përmes ENER-it dhe në Kuvend, për të qenë të sigurt që ka konsensus midis të gjitha
palëve", tha ministrja.
Gjithashtu informoi se edhe Strategjia për Arsimin 2026-2032 është në fazën përfundimtare
të hartimit. Në proces janë të përfshira më shumë institucione dhe organizata vendore dhe
ndërkombëtare, ndërsa versioni më i mirë që do të plotësojë strategjinë e mëparshme, do të
fokusohet në sfidat e pazgjidhura, por edhe në ndjekjen e trendeve dhe standardeve globale të
reja.

Duke vlerësuar nivelin e inkluzivitetit të sistemit arsimor kombëtar, ministrja u shpreh se në
këtë segment ka pasur përparim të dukshëm gjatë 18 muajve të fundit, gjatë të cilëve është
angazhuar numër rekord i asistentëve arsimorë në arsimin fillor, por edhe për herë të parë në
arsimin e mesëm, ndërsa janë themeluar shkolla të mesme shtetërore me qendra burimore që
u ofrojnë ndihmë të gjitha shkollave të tjera ku janë të regjistruar nxënës me nevoja të
veçanta arsimore

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume