Forcat izraelite të sigurisë të enjten qëlluan për vdekje dy burra palestinezë që po dorëzoheshin dhe ishin të paarmatosur gjatë një bastisjeje në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, siç shihej në pamje të publikuara nga TV Palestina, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në pamje, burrat shihen duke dalë nga një ndërtesë të rrethuar nga forcat izraelite në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor, duke i ngritur lart këmishët dhe duke u shtrirë në tokë në atë që duket si dorëzim. Ushtarët më pas duket sikur i udhëzojnë burrat që të hyjnë përsëri brenda në ndërtesë para se të hapnin zjarr në drejtim të tyre, raporton agjencia “Reuters”.
Një gazetar i kësaj agjencie që ndodhej në afërsi i pa burrat duke dalë nga ndërtesa, ku dukej se po dorëzoheshin dhe, më vonë, pasi i dëgjoi të shtënat, i pa forcat izraelite duke qëndruar pranë atij që dukej trup i pajetë.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha në një deklaratë se burrat u vranë nga të shtënat, duke i identifikuar si Montasir Abdullah, 26 vjeç, dhe Yusuf Asasa, 37 vjeç.
Ushtria dhe policia izraelite lëshuan një deklaratë të përbashkët duke njoftuar se kishin hapur një hetim, pasi forcat hapën zjarr drejt të dyshuarve që kishin dalë nga një ndërtesë.
Në deklaratë nuk u përmend ndonjë arsye pse forcat hapën zjarr e as nuk u tha se dy burrat ishin shtrirë në tokë para se të udhëzoheshin për t’u kthyer brenda e të qëlloheshin.
Guvernatori i Jeninit, Kamal Abu al-Rub, duke folur përmes telefonit, i akuzoi forcat izraelite për “ekzekutim gjakftohtë” të dy burrave të rinj për të cilët tha se ishin të paarmatosur dhe ishin dorëzuar.
Ai tha se ata që hapën zjarr duhet të ballafaqohen me llogaridhënie, por shprehu dyshime se autoritetet izraelite do të kryenin një hetim të vërtetë për rastin.
Forcat izraelite ishin duke kryer një operacion në zonën e qytetit Jenin për të arrestuar individë të kërkuar për “aktivitete terrori, përfshirë hedhjen e mjeteve shpërthyese dhe të shtëna në drejtim të forcave të sigurisë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ushtrisë dhe policisë izraelite.
Paralajmërim: Pamje të ndjeshme
A clearer video show Israeli soldiers shooting two young Palestinian men at point-blank range after they surrendered near the Jenin refugee camp, following a military raid in the northern occupied West Bank.
No official information issued so far about their condition. pic.twitter.com/Wv08EP6l1x
— Ihab Hassan (@IhabHassane) November 27, 2025