Operacionet e kërkim-shpëtimit në kompleksin e apartamenteve në Hong Kong, i cili u përfshi nga flakët të mërkurën, janë “pothuajse të përfunduara”, thanë zjarrfikësit të premten, ndërsa numri i viktimave u rrit në 94 dhe dhjetëra persona të tjerë vijojnë të rezultojnë të zhdukur.

Ekipet e emergjencës po kontrollonin kullat një nga një, në përpjekje për të gjetur ndonjë të mbijetuar pas zjarrit masiv që përfshiu shtatë nga tetë ndërtesat e kompleksit, një prej tragjedive më të rënda të qytetit.
Gjatë mëngjesit, familjarë të shumtë mbërritën në qendrën komunitare të Kwong Fuk Estate, pranë Wang Fuk Court, për të identifikuar trupat e viktimave që po nxirreshin nga godinat e shkrumbuara. Autoritetet ende nuk kanë publikuar shumë emra të personave të vdekur.

Sipas zyrtarit të Shërbimit të Zjarrfikësve, Derek Armstrong Chan, ekipet po kontrollonin me prioritet apartamentet nga të cilat kishin marrë dhjetëra thirrje për ndihmë gjatë zjarrit, por që nuk arritën t’u përgjigjeshin në kohë. Ai tha se operacioni po i afrohej fazës së fundit.

“Do të hapim me forcë çdo njësi në shtatë ndërtesat, për t’u siguruar se nuk ka viktima të tjera”, deklaroi Chan.

Zjarri nisur pasditen e së mërkurës u përhap me shpejtësi në kompleksin Wang Fuk Court, në lagjen Tai Po. Ndërtesat, ku jetonin mbi 4 mijë e 600 persona, ishin nën rikonstruksion dhe të mbështjella me skela bambuje dhe rrjeta të gjelbra, të cilat dyshohet se e ndihmuan përhapjen e flakëve.

Të premten në mëngjes, zjarri ishte vënë kryesisht nën kontroll, edhe pse autoritetet njoftuan se disa apartamente vijonin të digjeshin dhe se po punonin për të shmangur riaktivizimin e flakëve.

Shumica e viktimave u gjetën në dy nga shtatë kullat e përfshira në zjarr, ndërsa të mbijetuarit u nxorën kryesisht nga ndërtesat e tjera. Numri i personave të zhdukur nuk ishte përditësuar që nga e enjtja e hershme, kur raportoheshin mbi 250 të zhdukur.

Autoritetet kanë hapur hetime për shkaqet e zjarrit. Tre persona nga kompania ndërtuese përgjegjëse për rikonstruksionin shumëvjeçar të kompleksit janë arrestuar.

Fokusi i hetimeve është tek skelat e bambusë, rrjeta mbrojtëse që e mbështillte ndërtesën, si dhe tek polesteroli shumë i ndezshëm, i cili, sipas autoriteteve, ishte përdorur për mbulimin e dritareve të ashensorëve në çdo kat.

Ngjarja ka rindezur thirrjet për ligje më të forta të sigurisë nga zjarri në sektorin e ndërtimit.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com