Benjamin Netanyahu sapo zhvilloi një bisedë me presidentin amerikan Donald Trump”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit izraelit, ku gjithashtu bëhet e ditur se Trump e ka ftuar “së shpejti në një takim në Shtëpinë e Bardhë”.

Sipas njoftimit, të dy liderët theksuan rëndësinë e çarmatosjes së Hamasit dhe demilitarizimit të Rripit të Gazës, si dhe angazhimin e tyre në këtë drejtim.

“Gjithashtu diskutuan për zgjerimin e marrëveshjeve të paqes”, thuhet më tej, pa dhënë detaje të tjera.

Më herët, Trump e paralajmëroi Izraelin që të mos ndërhyjë në Siri në mënyrë që të mos rrezikohet tranzicioni i vendit arab drejt një “shteti të begatë”, pasi forcat izraelite sulmuan Sirinë jugore të premten.

“Shumë e rëndësishme është që Izraeli të ruajë dialog të fortë dhe të sinqertë me Sirinë, duke mos penguar zhvillimin e saj në një shtet të begatë”, shkroi presidenti amerikan në platformën e tij Truth Social, duke shtuar se SHBA-të janë “shumë të kënaqura me rezultatet e arritura nga Damasku”.

Gjatë ndërhyrjes së forcave izraelite në një fshat në Sirinë jugore të premten, sipas Damaskut, u vranë 13 persona, ndërsa ushtria izraelite tha se cak kishte qenë një grup islamik.

Që nga rrëzimi i presidentit Bashar al-Assad para gati një viti, Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore dhe ndërhyrje në Siri.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com