Federica Mogherini, Rektorja e Kolegjit të Evropës dhe ish-Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, e cila u ndalua dje si pjesë e një hetimi për mashtrim që përfshinte Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm dhe Kolegjin e Evropës, u lirua gjatë natës, rreth orës 01:00, raporton La Repubblica.

Edhe dy të ndaluarit e tjerë, Stefano Sannino dhe Cesare Zegretti, u liruan. Vendimi i gjykatësve për lirimin e tyre u mor pasi nuk përbëjnë rrezik për arratisje.

“Pasi u morën në pyetje nga Policia Federale Gjyqësore Belge, të tre individët u informuan zyrtarisht për akuzat kundër tyre. Akuzat kanë të bëjnë me mashtrim dhe korrupsion në prokurim, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Ata janë liruar pasi nuk konsiderohen rrezik për arratisje”, informuan gjyqtarët.

Kujtojmë se Mogherini u ndalua dje në kuadër të hetimit mbi tenderin për një projekt për realizimin e një kursi pasuniversitar për të rinjtë diplomatë, i financuar nga BE-ja në Kolegjin Europian të Bruges, ku ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme ishte rektore. Bashkë me të ranë në pranga edhe Stefano Sannino, ish-sekretar i përgjithshëm i EEAS, institucionit europian që shpalli tenderin prej 990 mijë eurosh për realizimin e kursit në vitet 2021–2022 në Kolegjin e Evropës, si edhe Cesare Zegretti, menaxher i po atij kolegji prestigjioz të Bruges.

Ditën e djeshmë policia sekuestroi dokumente dhe ndaloi tre persona për t’i marrë në pyetje nën dyshimin për mashtrim me prokurimin, korrupsion dhe konflikt interesi kriminal.

Policia Federale Belge dhe Zyra e BE-së Kundër Mashtrimit (OLAF) morën pjesë në operacion si pjesë e një hetimi penal të udhëhequr nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO).

Hetuesit po kontrollojnë nëse Kolegji i Evropës ose përfaqësuesit e tij e dinin paraprakisht për një tender publik për financimin e një Akademie të re Diplomatike të BE-së, një program trajnimi vjetor për diplomatët evropianë në Bruges, i financuar nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS).

I themeluar në vitin 1949, Kolegji i Evropës konsiderohet shkolla më e mirë e BE-së për diplomatë dhe nëpunës civilë, me alumnë që përfshijnë politikanë dhe zyrtarë kryesorë të institucioneve evropiane.

Hetuesit u përqendruan në rrethanat e blerjes nga kolegji të një ndërtese në Spanjaardstraat në Bruges për 3.2 milionë euro, ku jetojnë diplomatët që studiojnë në akademi, thanë katër persona të njohur me hetimin.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com