Një sezon për t’u mbajtur mend po zhvillon gjenerata 2010, përkatësisht U16, nën drejtimin e trajnerit Ismail Ismaili dhe fitorja 6:0 ndaj Teteksit përmbylli gjithçka. Siç raporton Tetovasot, kjo skuadër ka treguar dominim absolut në pjesën vjeshtore të kampionatit, duke u shpallur kampione absolute vjeshtore me shifra mbresëlënëse.

Statistikat flasin vetë: 69 gola të shënuar dhe vetëm 21 të pranuar, një bilanc që dëshmon qartë filozofinë sulmuese dhe organizimin e fortë të ekipit. Me vetëm një humbje aksidentale dhe të gjitha ndeshjet e tjera të fituara bindshëm, skuadra e Ismail Ismailit është shndërruar në një nga formacionet më të frikshme të kategorisë së saj.

Trajneri Ismail Ismaili, i njohur edhe për karrierën e tij si lojtar me prirje të theksuar sulmuese, ka arritur ta transmetojë këtë mentalitet te futbollistët e rinj. Loja atraktive, presioni i lartë dhe efikasiteti para porte janë shndërruar në identitetin e kësaj gjenerate.


Në një deklaratë për Tetovasot, Ismaili shprehet:

“Jam jashtëzakonisht krenar për këtë grup lojtarësh. Ajo që kemi arritur nuk është vetëm rezultat, por fryt i punës, disiplinës dhe sakrificës së përditshme. 69 gola të shënuar dhe vetëm 21 të pësuar tregojnë qartë se si duam të luajmë. Humbja e vetme na ka shërbyer si mësim, ndërsa gjithë fitoret e thella të tjera , konfirmojnë cilësinë e ekipit. Unë gjithmonë kam preferuar futbollin sulmues dhe jam i lumtur që këta djem e kanë përqafuar këtë filozofi. Kjo gjeneratë ka potencial të madh dhe ky është vetëm fillimi.”

Suksesi i Ismail Ismailit nuk është i rastësishëm. Edhe sezonin e kaluar, ai drejtoi një skuadër po aq të suksesshme me gjeneratën 2011 te Shkëndija, duke konfirmuar aftësitë e tij si trajner i përkushtuar dhe ndërtues i ekipeve konkurruese.

Gjenerata 2010 (U16) po kalon një sezon ëndrrash dhe, nëse vazhdon me këtë ritëm, e ardhmja duket më se premtuese si për lojtarët ashtu edhe për trajnerin që po i udhëheq drejt suksesit.TS

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com