Ish-kryetari i Shkupit dhe funksionar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), avokati Petre Shilegov, ka kërkuar publikisht dorëheqjen e kryetarit të partisë, Venko Filipçe.
“Po! Kërkoj dorëheqjen e ‘kryetarit’ të LSDM-së!”, shkroi Shilegov në një postim në rrjetin social Facebook, duke shtuar se brenda vetëm shtatë minutave ka pranuar mbi 50 thirrje telefonike për sqarimin e pozicionit të tij. Kjo erdhi pasi Shilegov në një status tjetër, mjaft të paqartë dhe “të koduar”, u referua përgjegjësisë për një “vrasje” dhe sjelljes së partisë.
“Legjislacioni maqedonas njeh vrasjen nga pakujdesia. Njeh edhe vrasjen me dashje, por nuk njeh (vetëm) vrasjen me dashje! O ju rëndon përgjegjësia? O ju rëndon marrëveshja? O je LSDM, o je tezgarosh! Pyetjet do t’i shtrojmë pas festave. Të mos ‘shkurorëzohemi’ ndërkohë. Gjoja, ju është i mirë ‘tajmingu’. Viti i Ri, Krishtlindjet, do të harrohet…”, shkroi Shilegov.
LSDM dje zgjodhi udhëheqjen e re, dhe partia që tani do të ketë dy në vend të katër nënkryetarëve: Aleksandar Trajanovski dhe Jovana Trençevska. Ka ndryshime edhe në Komitetin Ekzekutiv, për të cilin partia thotë se tani përbëhet nga një kombinim i kuadrove me përvojë dhe të rinj.
Kjo ndodhi pasi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, pas rezultatit më të keq në historinë e partisë në zgjedhjet lokale të muajit të kaluar, njoftoi se e gjithë udhëheqja do të ndryshohej — përveç atij vetë. Shumë brenda LSDM-së, sipas informacioneve nga partia, nuk janë të kënaqur me mënyrën se si Filipçe e udhëheq partinë dhe as me zgjedhjen e kuadrove të reja.
Tensionet në partinë opozitare vazhduan edhe sot, me dorëheqjen e kryetarit të organizatës partiake në Manastir, Metodija Kunovski, si dhe anëtarit të komitetit ekzekutiv të organizatës komunale në këtë qytet, Aleksandar Paligora.