Drejtori Elezi jep lajmin e madh: 129 të punësuar në Spitalin Klinik të Tetovës janë pranuar me vendime pune të përhershme (VIDEO)
Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Alezi, ka sqaruar sot para mediave arsyet pse një pjesë e punëtorëve me kontratë në vepër nuk janë përfshirë në konkursin e fundit për punësim, duke theksuar se bëhet fjalë për çështje profilesh dhe analizash profesionale, njofton TS.
Sipas Alezit, vendimi është marrë në bazë të nevojave reale të institucionit dhe profileve të kërkuara në konkursin e hapur për herë të parë. Ai theksoi se këtë e ka sqaruar edhe më herët në mbledhje të posaçme me punëtorët që kanë qenë me kontratë në vepër.
“Janë pranuar gjithësejt 129 të punësuar me profile të ndryshme, jo të gjithë kanë mundur të përfshihen për shkak të profileve për të cilat është hapur konkursi. Kjo ka qenë e qartë dhe e komunikuar,” deklaroi Alezi.
Drejtori bëri të ditur se që në atë moment ka dorëzuar kërkesë zyrtare si në Ministrinë e Shëndetësisë, ashtu edhe në Ministrinë e Administratës, për hapjen e një konkursi të ri në vitin 2026, kërkesë e cila ka marrë përgjigje pozitive.
“Me hapjen e pjesës së parë të konkursit, na është konfirmuar se në vitin 2026 do të realizohet. Unë garantoj se edhe pjesa tjetër e punëtorëve që kanë mbetur do të përfshihet,” tha Alezi.
Ai rikujtoi se fillimisht kanë qenë 139 punëtorë me kontratë në vepër që kanë protestuar, ndërsa tani ka mbetur një numër shumë i vogël, pasi një pjesë dërrmuese tashmë janë sistemuar.
Deklarata e drejtorit Alezi vjen në një kohë debatesh publike rreth punësimeve në Spitalin Klinik të Tetovës, duke synuar të qartësojë situatën dhe të ulë tensionet mes punëtorëve dhe institucioneve./TS