AKI ka hapur sonte zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e përsëritura komunale në Gostivar. Në mbështetje të kandidatit të koalicionit AKI për kryetar komune, Valbon Limanit, të pranishëm ishin liderët Ali Ahmeti dhe Arben Taravari, si dhe struktura të shumta partiake.

Në fjalimin e tij, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se koalicioni AKI në Gostivar ka vetëm një kandidat për kryetar komune dhe ai është Valbon Limani.

“Valbon, ti je kandidat i BDI-së më shumë se edhe i ASH-së. Ke mbështetjen time të plotë, mbështetjen e BDI-së dhe të të gjitha strukturave tona në Gostivar. Fitorja jote është e sigurt më 11 janar dhe për këtë mos ki asnjë dilemë”, deklaroi Ahmeti.


Ai nënvizoi se Gostivarit i duhet një brez i ri politikanësh, duke përmendur Valbon Limanin si kryetar komune dhe Valdet Xhaferin si kryesues të Këshillit Komunal.

Ahmeti u bëri thirrje qytetarëve dhe strukturave të koalicionit për mobilizim masiv më 11 janar, me qëllim që të përsëritet fitorja e 19 tetorit për Valbon Limanin.

“Koha në këtë qytet është e Valbonit dhe e Valdetit. Jam i bindur se ata do ta udhëheqin Gostivarin për katër vitet e ardhshme me dinjitet dhe krenari”, tha Ahmeti.

Kreu i BDI-së përgëzoi gjithashtu Arben Taravarin për, siç u shpreh, braktisjen e Qeverisë dhe kalimin në opozitë, duke e cilësuar këtë veprim si akt krenarie dhe dinjiteti kombëtar.

“AKI është themeluar si projekt afatgjatë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe për ndërtimin e shtetit të përbashkët”, theksoi Ahmeti.

Sipas tij, në zgjedhjet lokale ndaj këtij koalicioni ka pasur një inxhinieri të paparë politike, duke shtuar se “me vasalë nuk ka të ardhme”. Ai ftoi qytetarët që më 11 janar të votojnë numrin 3 dhe Valbon Limanin, në mënyrë që, siç tha, Gostivari të mos mbetet në duart e atyre që janë bërë shërbëtorë të pushtetit qendror.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com