Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka paralajmëruar publikimin e mbi 110 mijë dokumenteve sekrete të ish-shërbimeve jugosllave, që sipas tij dëshmojnë përndjekje politike sistematike ndaj shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoninë e atëhershme.

Gjatë emisionit “Debat në Shenja”, Ahmeti tha se dokumentet janë siguruar nga arkivat shtetërore të Kroacisë dhe përfshijnë dëshmi për gjyqe të montuara, dënime politike, ekzekutime dhe atentate, të orkestruara nga Beogradi dhe të zbatuara nga strukturat lokale, njofton TS

Sipas tij, për dekada me radhë maqedonasit janë dënuar si “pro-bullgarë”, ndërsa shqiptarët si “nacionalistë dhe separatistë”, me shumë prej tyre që kanë përfunduar në burgun famëkeq të Goli Otokut.


“Po t’i merrni dosjet, do ta shihni qartë: për gjashtëdhjetë vite me radhë, maqedonas janë dënuar si pro-bullgarë, se kinse po punonin për Bullgarinë e Madhe, ndërsa shqiptarët janë dënuar si nacionalistë dhe separatistë që donin ta bënin Shqipërinë e Madhe. Maqedonas e shqiptarë kanë përfunduar në Goli Otok. Kjo është e dokumentuar”, deklaroi Ahmeti.

Ahmeti shprehu habi që institucionet e Maqedonisë së Veriut ende nuk i kanë publikuar këto dokumente, duke paralajmëruar se nëse kjo nuk ndodh, BDI do t’i bëjë publike vetë. Ai theksoi se procesi do të realizohet në mënyrë profesionale, nga historianë, dhe dokumentet do të publikohen në versionin e tyre origjinal, pa ndërhyrje.

Në fund, Ahmeti akuzoi ish-elitën politike maqedonase për shërbim ndaj Beogradit dhe theksoi se Shkupi ka qenë, sipas tij, “laboratori i politikave antishqiptare”, skenarë që më pas janë zbatuar edhe në Kosovë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com