Mickoski-Filipçes: Kataklizëm është kompliment për atë që ju e latë si qeveri në sektorin energjetik, por prandaj pas jush latë qindra milionerë përfitues politikë
Do t’ju kujtoj, në muajin gusht të vitit 2017 zero borxhe, 25 milionë euro depozita, një miliard e gjysmë denarë dhe diku rreth 380 milionë denarë në llogarinë e atëhershme të SHA ELEM dhe zero borxhe, paga të paguara, prerjeje afërsisht me datë 7–8 gusht 2017. Në vitin 2024, në muajin gusht 7% gjendje e akumulimeve të energjisë elektrike, zero zbulim në RKE Manastir, zero qymyr i zbuluar, në deponi rreth 20–30 mijë tonë, blloqe të paremontuara në Manastir, të paremontuara në Osllomej, një gjendje kataklizmike dhe borxhe prej 150 milionë eurosh. Unë nuk di si operohet koka, zemra etj., por di kë të pyes. Herën tjetër kur t’ju bëhen këto pyetje dhe kur t’ju fusin sërish në ujëra të thella, sepse kjo nuk është tema juaj, të paktën pyesni dikë që i kupton këto çështje, sepse ajo që ju e latë si qeveri në sektorin energjetik, kataklizëm është kompliment, por prandaj latë pas vetes dhjetëra e qindra milionerë, përfitues politikë dhe grabitqarë që janë llumi i shoqërisë.
Kështu u përgjigj kryeministri Hristijan Mickoski në pyetjen e deputetit Venko Filipçe për atë se pse nuk është bërë asgjë për forcimin e sektorit energjetik dhe prodhimin e energjisë elektrike dhe pse tani duhet të ketë shtrenjtim të çmimit të rrymës.
Sa i përket shtrenjtimit të rrymës, Mickoski e udhëzoi Filipçen që ta pyesë anëtarin e ri të udhëheqësisë së LSDM-së, i cili është vëllai i kryetarit të Komisionit Rregullator të Energjisë (KRRE), që është trup i pavarur.
“Pse shtrenjtim i rrymës? Për këtë pyetje, zoti Filipçe, ndoshta më së miri do t’ju përgjigjet anëtari i ri Komitetit tuaj Ekzekutiv, zoti Bislimoski, i cili është vëllai i kryetarit të Komisionit Rregullator, Marko Bislimoski. KRRE, sipas ligjit dhe Kushtetutës, është trup i pavarur. Nuk e di pse ma drejtoni mua këtë pyetje. Supozoj se duhet t’ia drejtoni Marko Bislimoskit, vëllai i të cilit tani është bashkëpunëtori juaj në Komitetin Ekzekutiv apo siç quhet bordi juaj i LSDM-së dhe shpresoj se ai do t’ju japë një përgjigje më të saktë se unë. Dhe pse e manipuluat opinionin me shtrenjtim mbi 5%, mbi 10%, e në fund nuk doli ashtu, por doli rreth 2 e diçka për qind, supozoj se edhe për këtë ata mund t’ju japin përgjigje”, theksoi Mickoski.
Sa i përket akuzës së Filipçes se për një vit e gjysmë nuk është bërë asgjë në sektorin energjetik dhe se ai po shkatërrohet, Mickoski e kujtoi Filipçen se mbi 50 persona janë nën hetim ose ndaj tyre po zhvillohen procese gjyqësore për shkatërrimin e asaj që ishte lënë nga qeveria e mëparshme e VMRO-DPMNE-së, ndërsa ish-drejtori i EMV-së dhe funksionar i lartë i LSDM-së është në arrati.
“Tani sa i përket kapaciteteve energjetike. Gjatë një viti e gjysmë të fundit, mbi 50 persona që e kanë shkatërruar atë që ishte lënë nga qeveria e mëparshme e VMRO-DPMNE-së, përkatësisht nga koha kur unë isha drejtor i atëhershëm i ELEM-it, ose janë nën hetim ose ndaj tyre po zhvillohen procese gjyqësore, ndërsa ish-drejtori, ish-funksionar i lartë i LSDM-së, është në arrati. Nëse është i pafajshëm, nëse është i ndershëm, do të vijë këtu dhe do të përballet me organet, do të japë dëshmi dhe do të tregojë pse është kështu. Tani, kur flisni për kapacitetet energjetike, a mendoni ndoshta edhe për kompani që në të kaluarën merrnin të drejtë ekskluzive për import të qymyrit dhe për këtë disa figura publike dhe politikanë shpërbleheshin me xhipa të shtrenjtë që i vozisnin me autorizim të këtyre kompanive dhe transferonin mjete financiare jashtë vendit. A e keni fjalën për këtë kur flisni për shkatërrimin e sistemit energjetik, apo për shkatërrim të sistemit energjetik kur bliheshin kimikate dhe mjete të tjera që nuk nevojiteshin, vetëm që të ndaheshin provizione për ish-funksionarë të lartë të LSDM-së në Rajonin e Vardarit, në Rajonin e Pellagonisë etj.”, theksoi Mickoski.