Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka përgëzuar Republikën e Kosovës për mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve parlamentare, duke vlerësuar procesin demokratik dhe pjesëmarrjen qytetare.
“Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, përgëzoj mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Kosovës,” ka shkruar Gashi.
Ai ka uruar veçanërisht Kryeministrin Albin Kurti për rezultatin zgjedhor, duke theksuar se “ky rezultat zgjedhor konfirmon besimin dhe mbështetjen qytetare për vizionin dhe përkushtimin e Lëvizjes Vetëvendosje”.
Gashi ka përgëzuar gjithashtu të gjitha subjektet politike për, siç u shpreh ai, “pjesëmarrjen konstruktive”, si dhe qytetarët e Kosovës “për kulturën dhe pjekurinë demokratike që kanë treguar”.
Në mesazhin e tij, kryeparlamentari nënvizoi edhe rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe, duke theksuar se “mbetemi të përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera fqinjësore e vëllazërore, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve tona, në interes të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit europian të rajonit”.