Rinia e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar sot dorëheqjen e menjëhershme të Bujare Abazit, lidhur me lejen që, sipas tyre, ajo i ka dhënë Alta Bankës serbe në shtator të vitit 2025.
Nga konferenca për media, Ylli Paçuku nga FR-BDI ka drejtuar një sërë mesazhesh kundër asaj që e cilësoi si rritje të ndikimit të botës serbe në Maqedoninë e Veriut.
„Jemi këtu për t’i kërkuar dorëheqjen e menjëhershme Bujare Abazit për lejen që ajo ia ka dhënë Alta Bankës serbe në shtator të vitit 2025.
Jemi këtu për të thënë: STOP botës serbe në Maqedoni! STOP M-Tel-it serb! STOP mediave serbe! STOP kapitalit serb! STOP Stoiljkoviqit dhe Dodikut në Shkup! STOP Alta Bankës!
Është shokuese që edhe raporti i Parlamentit Evropian shpreh shqetësimin për prezencën e botës serbe, me aminin e VLEN-it, në Maqedoninë e Veriut.
Prandaj, bota serbe ndalohet me largimin e VLEN-it, duke nisur nga autorja e Alta Bankës serbe, Bujare Abazi, dhe kjo qeveri“, deklaroi Paçuku.
Nga FR-BDI kërkojnë përgjegjësi politike për këtë çështje, duke e lidhur rastin e Alta Bankës me shqetësimet për ndikimin serb në vend./TS/