Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e madhe gjatë fushatës zgjedhore, duke e cilësuar fitoren si madhështore dhe historike informon Tetovasot.
Kurti theksoi se gjatë dhjetë ditëve të fushatës janë realizuar qindra takime dhe tubime në mbarë vendin, ku, sipas tij, mijëra dyer janë hapur dhe dhjetëra mijëra duar janë shtrënguar nga qytetarë që e pritën me ngrohtësi dhe besim.
“Na pritët me ngrohtësi e besim, e për këtë ju falënderoj përzemërsisht. U angazhuat pa kursim për fitoren e VETËVENDOSJE!-s me partnerë, për fitoren tuaj”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për diasporën shqiptare, duke përmendur bashkatdhetarët që erdhën nga Evropa, Amerika dhe vende të tjera të botës, si dhe ata që votuan me postë apo në mënyrë fizike në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës raporton Tetovasot.
“Jemi mirënjohës përjetë për kontributin tuaj të pamatshëm për liri, shtet dhe komb, si dhe për përkrahjen vendimtare që e bëri këtë fitore aq madhështore saqë historike”, ka theksuar ai.
Në fund të mesazhit, Kurti ka siguruar se puna do të vazhdojë, duke shtuar se siguria dhe begatia për qytetarët e Kosovës do të rriten.
“Puna vazhdon, siguria e begatia do të shtohen. Na priftë e mbara!”, përfundoi Kurti.