Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka thënë se përgjigja e shtetit të tij ndaj një sulmi do të ishte e ashpër, deklaratë e cila u duk se ishte përgjigje ndaj paralajmërimit të presidentit amerikan kundër rikthimit të programit bërthamor të Iranit.

“Përgjigja e Republikës Islamike të Iranit ndaj çfarëdo agresioni mizor do të jetë e ashpër dhe dekurajuese”, ka shkruar Pezeshkian në X.

Ai nuk ka shpjeguar më shumë se çfarë donte të thoshte, megjithatë deklarata e tij erdhi një ditë pasi presidenti Donald Trump sugjeroi se SHBA-ja mund të kryejë sulme ushtarake nëse Irani tenton ta rikthejë programin bërthamor, raportoi AP.

“Tani dëgjoj se Irani po përpiqet ta ndërtojë sërish. Dhe nëse po e bëjnë, ne do t’i rrëzojmë. Do t’i shkatërrojmë plotësisht. Por, shpresojmë që kjo të mos ndodhë”, ka thënë Trumpi gjatë takimit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Trumpi shtoi tutje se nëse konfirmohet se Irani po e rikthen programin bërthamor në kapacitete të plotë, SHBA-ja do ta godasë.

“Nëse konfirmohet, ata i dinë pasojat dhe pasojat do të jenë të fuqishme, ndoshta më të fuqishme se herën e kaluar”, ka thënë Trumpi.

Irani ka insistuar se nuk po pasuron uranium më në asnjë vend të vetin.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume