Gashi: Në vitin që lëmë pas Kuvendi ka shënuar avancime të dukshme në transparencë, digjitalizim dhe në forcimin e funksionit mbikëqyrës
Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashit në fjalimin e tij të fundvitit tha se viti që po përmbyllet ka qenë një vit i punës së përkushtuar dhe i hapave që kanë lënë gjurmë.
“Kuvendi ka shënuar avancime të dukshme në transparencë, digjitalizim dhe në forcimin e funksionit mbikëqyrës. Kemi hapur më shumë dyert për qytetarë, ide dhe dialog. E kemi bërë institucionin më inkluziv, më të qasshëm dhe më të besueshëm. Përmes diplomacisë parlamentare kemi ndërtuar ura bashkëpunimi dhe miqësie, duke e përfaqësuar vendin tonë me dinjitet dhe vizion.
Por mbi të gjitha, ky vit na rikujtoi një të vërtetë thelbësore: se përparimi i qëndrueshëm nuk lind vetëm nga proceset dhe reformat, por nga uniteti, pjekuria për të ndërtuar konsensus dhe nga besimi i ndërsjellë.
Vetëm kur qëndrojmë së bashku, me respekt dhe vullnet për të gërshetuar dallimet, si dhe me përgjegjësi ndaj shtëpisë sonë të përbashkët, mund të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë e më të ndritur për të gjithë ne”, thuhet në fjalimin e Gashit.