“Diçka ka me krisë”. Kështu pretendohet se i ishte drejtuar Muhamet Lika gruas së tij katër ditë para vrasjes së tij në Kaçanik, sipas dosjes së Prokurorisë së Ferizajt. Për vrasjen e rreshterit të Policisë, Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë të dyshuarve.

“Diku rreth 3-4 ditë para vrasjes së tij përderisa ishin bashkë me Muhametin duke u kthyer në banesë prej qytetit dhe tek lokali i Haki Belës, i kanë pa këta persona duke qëndruar aty të gjithë së bashku dhe kjo i thotë Muhametit: “për çudi këta persona janë duke qëndrua së bashku” dhe i njëjti i thotë: “Diçka ka me krisë këtu se shumë janë duke qëndruar së bashku”, dhe këto fjalë janë ajo që i ka thënë Muhameti”- kështu kishte rrëfyer gruaja e Muhamet Likës disa ditë pasi i kishin vrarë burrin në hyrje të banesës me katër plumba më 01.04.2025.

V. Lika kishte raportuar në Polici për parandjenjën e burrit të saj në lidhje me grupin që tashmë po akuzohet për vrasjen e oficerit të Policisë së Kosovës. Lika ishte vrarë në shkallët e banesës së tij ndërsa raportet flasin se ndaj tij u shkrepën katër plumba. KALLXO.com ka publikuar aktakuzën e Prokurorisë së Ferizajt në lidhje me rastin.

V. Lika, gruaja e Muhamet Likës, më 29.05.2025 kishte deklaruar se burri i saj asnjëherë nuk kishte pasur asnjë problem me dikë në formë personale, por një rast që i kujtohej ishte i vitit 2023, e që pretendohet se Muhamet Lika i kishte treguar gruas se kishte pasur një problem me disa persona lidhur me shpërndarjen e disa fletushkave me karakter fetar si dhe djegien e një pishe në qytet. Gruaja e Likës kishte thënë në atë kohë se bëhej fjalë për grupin e të miturit R.B. që pretendohet se kreu vrasjen më 01.04.2025.Në ditën kritike gruaja kishte rrëfyer se Muhamet Lika kishte qenë në ndërrimin e pasdites, se ishte përgatitur dhe kishte shkuar në punë i qetë. Po ashtu, rreth orës 17:00 kishte kontaktuar përsëri me Muhametin, tani të ndjerë, lidhur me një termin tek mjeku e më pas rreth orës 18:00 e kishte thirrur në telefon për të ngrënë darkë te banesa dhe i ndjeri kishte qëndruar në banesë deri rreth orës 19:30.Ai kishte dalë nga banesa i qetë e më pas dëshmitarja shton se rreth orës 22:45 kishte dalë në ballkonin e banesës për të ndezur një cigare dhe për ta pritur burrin e saj që të vijë nga puna dhe aty kishte vërejtur një veturë e cila ishte ndalur para banesës pak sekonda e më pas kishin zbritur dy persona që kishin qenë me kapela në kokë, e pastaj rreth orës 23:00 kishte dëgjuar katër të shtëna armësh dhe menjëherë kishte dalë në korridor, ishte kthyer brenda dhe kur kishte dalë në ballkon kishte vërejtur Ndihmën e Shpejtë dhe Policinë.

Menjëherë i kishte shkruar Muhametit në telefon: “Çka u bë te banesa se Ndihma e Shpejtë dhe Policia janë këtu”, por që nuk kishte pranuar ndonjë përgjigje dhe nga ballkoni kishte vërejtur se në Ndihmën e Shpejtë kishin futur një person me uniformë të Policisë. Tutje, ajo kishte deklaruar se kishte zbritur poshtë dhe me ton të lartë duke i pyetur fqinjët çka ka ndodhur, dhe njëra nga fqinjet i kishte thënë se: “Muhameti është rrëzuar në shkallë dhe e dërguan në Emergjencë”. Pas pak ishte kontaktuar edhe nga vëllai i saj i cili kishte njoftuar se Muhameti është plagosur dhe kishte shkuar tek Emergjenca në Kaçanik, dhe aty kishte vërejtur mjekët duke dhënë ndihmën e parë dhe rreth orës 12:00 ishte njoftuar nga personeli mjekësor se Muhamet Lika ka ndërruar jetë. Për personin që po dyshohet se ishte dorasi, gruaja e Likës e kishte përshkruar si problematik dhe të njohur për organet e drejtësisë. Më 09.12.2025 gruaja e Likës kishte dhënë një deklaratë shtesë. Ajo kishte thënë se meqenëse ka punuar në market i ka pasur klientë të rregullt Haki Belën, Shkëlqim Kukën, Rilind Muratin dhe Vatan Çakën.

Haki Belën e kishte njohur si figurë dhe e ka ditë qe është praktikues ekstrem i fesë e po ashtu edhe Rilindin e Shkëlqimin i ka njohur për të njëjtën arsye, sepse këta vazhdimisht kanë qëndruar së bashku në grup. Tutje, ajo kishte shtuar se Vatan Çakën e kishte njohur si person i cili në atë kohë kishte kryer disa vepra penale të vjedhjes, sepse ka vjedhur shumë shpesh edhe në lokalin ku ka punuar. Një çështje që ka ngritur gruaja e Likës ishte edhe një ndjesi që tashmë i ndjeri kishte pasur disa ditë para vrasjes. Ajo kishte treguar se të njëjtit persona që tashmë janë të akuzuar kanë qëndruar vazhdimisht së bashku, pikërisht ose para objektit të xhamisë ose para objektit të lokalit të njërit nga të akuzuarit e po ashtu shpeshherë i ka vërejtur edhe tek lokali i Haki Belës, i cili është pikërisht në afërsi të banesës ku kanë jetuar.

Madje në një rast, para ardhjes së Muhametit nga puna, kishte qëndruar në ballkon dhe pikërisht atë natë ka dalë diku rreth orës 22:45 për të pirë një cigare dhe i kujtohet saktë se poshtë banesës, përkatësisht në hyrje te banesës, i ka vënë re dy persona të rinj, me kapelë në kokë, të cilët vazhdimisht kanë lëvizur në atë pjesë të hyrjes së banesës. “Ajo që kjo ka vërejtur ka qenë se një ditë para se të ndodhë vrasja e tij, ka ardhur prej punës rreth orës 23:00 dhe e ka vërejtur se Muhameti e kishte pasur mekanizmin e shkrepjes së armës të aktivizuar dhe i njëjti e ka rregulluar dhe e ka vendosë armën tek vendi ku e kishte lënë çdo herë”- përshkruhet deklarata e gruas së Muhamet Likës.Për vrasjen e rreshterit policor në Kaçanik, Muhamet Lika, tashmë ka një aktakuzë e cila është ngritur nga Prokuroria e Ferizajt.Prokuroria ka njoftuar se pas zhvillimit të hetimeve dhe sigurimit të provave ka ngritur aktakuzë kundër 6 të pandehurve: Haki Belës, Rilind Muratit, Vatan Çakës, Edmond Likës, Shkëlqim Kukës dhe Diamant Gashit, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer për veprën penale – vrasje e rëndë.

Ata dyshohen se më 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, afër vendit ku ka jetuar viktima, të pandehurit në bashkëkryerje me të miturin R. B., me dashje dhe përgatitje paraprake kanë privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, rreshter Muhamet Lika, me armë zjarri. Pas aktit, të dyshuarit largohen nga vendi i ngjarjes.“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprën penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka propozuar që të pandehurve t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt më 09.01.2026

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com