Kina do të zbatojë një sërë nismash dhe veprimesh që synojnë zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të industrive të reja dhe të ardhshme gjatë periudhës së Planit të 15-të Pesëvjeçar (2026-2030), tha të mërkurën një zyrtar i Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit.
Do të thellohen përpjekjet për të nxitur motorët e rinj të rritjes në sektorët e rinj, për të përmirësuar zbatimin e teknologjive të prodhimit dhe produkteve të reja në skenarë të rinj dhe për të krijuar baza kombëtare demonstrative për industritë e reja, u shpreh në një konferencë shtypi zëvendësministri i Industrisë dhe i Teknologjisë së Informacionit Zhang Yunming.
Për sa u përket industrive të ardhshme, Kina do të çojë përpara zbatimin e udhëzimeve për nxitjen e zhvillimit novator të këtyre sektorëve, do të vërë në jetë një sërë projektesh strategjike vizionare shkencore e teknologjike, si edhe do të mbështesë autoritetet vendore në zhvillimin e industrive të ardhshme në përputhje me kushtet vendore, vuri në dukje Zhang, duke shtuar se autoritetet do të shfrytëzojnë më tej fondet e investimeve qeveritare.
Gjatë periudhës së Planit të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025), një grup industrish të reja, duke përfshirë automjetet me energji të re, pajisjet fotovoltaike, si edhe pajisjet e lartësisë së ulët, ndërtimit të anijeve dhe inxhinierisë detare, arritën rritje të shpejtë, duke forcuar më tej reputacionin e “Prodhuar në Kinë”, tha Zhang.
Ai theksoi gjithashtu rekordin e prodhimit dhe shitjeve të automjeteve me energji të re në Kinë, rritjen e qëndrueshme të industrisë fotovoltaike, shtimin e llojeve dhe sasisë së dronëve civilë, si edhe përparimin si sasior, ashtu edhe cilësor, në industrinë e ndërtimit të anijeve në vitin 2025.


