Kosova dhe Serbia arritën pajtim për jetësimin e marrëveshjes për personat e pagjetur, duke funksionalizuar kështu një komision të përbashkët që do të merret me këtë çështje. Pajtimi për funksionalizimin e këtij komisioni u arrit pas një takimi të gjatë që u zhvillua të enjten deri vonë në Bruksel nga kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç. Ky takim u ndërmjetësua nga i ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen. Kryenegociatori Besnik Bislimi tha pas takimit se “Qëllimi ishte që të arrijmë dakordim që ta funksionalizojmë Komisionin e Përbashkët për jetësimin apo zbatimin e marrëveshjes për personat e pagjetur në mes të Kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq”. Sipas tij, takimet ishin të suksesshme dhe në fund, siç thotë, “arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv”. “Tani ka mbetur që në javët e ardhshme të takohen zëvendësit tanë dhe të përcaktojnë prioritetet e para për punën e Komisionit të Përbashkët”, tha Bislimi. Edhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, që është edhe drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, tha se ai pret “përshpejtim në drejtim të gjetjes së të gjithë të zhdukurve”. Petkoviç tha po ashtu se në takimin e ndarë me ndërmjetësin evropian, Sorensen, ka kërkuar sërish “formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në vitin 2023 ishin dakorduar për “Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur”. Në këtë deklaratë, ndër të tjera thuhej se “ne angazhohemi bashkërisht për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur. Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas me gërmime”. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa afro 1.600 persona akoma vazhdojnë të jenë të zhdukur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. Takimi Kosovë–Serbi në Bruksel i datës 22.01, nga i cili u arrit marrëveshja për funksionalizimin e komisionit për të pagjeturit, ishte i pari për këtë vit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ndërmjetësi i dialogut, Peter Sorensen, më 14 dhe 15 janar ishte në Kosovë dhe Serbi, ku tha se ai personalisht ka “shpresa të mëdha që viti 2026 të na japë atë që viti 2025 nuk bëri”./DW

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com