Aleanca për Shqiptarët ka shprehur qëndrimin e saj kritik ndaj Ligjit për Kundërvajtje, në të cilin përfshihet edhe projekti “Safe City”, duke vlerësuar se zbatimi aktual i këtij projekti ngre shqetësime serioze juridike, sociale dhe kushtetuese informon Tetovasot.

Sipas ASH-së, një nga problemet kryesore lidhet me moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, veçanërisht në komunikimin zyrtar me qytetarët, përfshirë njoftimet dhe sanksionet që burojnë nga projekti “Safe City”.

“Ky veprim përbën shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave gjuhësore të qytetarëve shqiptarë dhe është i papranueshëm në një shtet multietnik”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Nga kjo parti kërkohet gjithashtu rishikim i lartësisë së dënimeve dhe i tolerancës së parashikuar, me qëllim që qytetarët të mos dëmtohen padrejtësisht.

“Siguria në komunikacion është e rëndësishme dhe e domosdoshme, por ajo nuk duhet të realizohet në kurriz të mirëqenies dhe jetesës së qytetarëve, përmes dënimeve disproporcionale dhe pa ndjeshmëri sociale”, thekson ASH.

Aleanca për Shqiptarët kritikon edhe zbatimin selektiv të projektit “Safe City”, duke vlerësuar se aplikimi i tij vetëm në disa qytete është i padrejtë dhe diskriminues.

“Nëse ky projekt synon rritjen e sigurisë publike, atëherë ai duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjithë territorin e shtetit dhe jo vetëm në tre qytete”, thuhet më tej.

Në fund, Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje institucioneve kompetente që urgjentisht të adresojnë këto vërejtje, të hapin debat publik dhe të sigurojnë që çdo projekt i tillë të jetë në përputhje me ligjin, barazinë dhe interesin real të qytetarëve.

Postimi i plote:

Aleanca për Shqiptarët shpreh qëndrimin e saj kritik ndaj Ligjit për Kundërvajtje, në të cilin përfshihet edhe projekti “Safe City”, duke vlerësuar se zbatimi aktual i këtij projekti ngre shqetësime serioze juridike, sociale dhe kushtetuese.

Së pari, Aleanca për Shqiptarët vëren se nuk po zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve, veçanërisht në komunikimin zyrtar me qytetarët, përfshirë edhe njoftimet dhe sanksionet që burojnë nga projekti “Safe City”. Kjo përbën shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave gjuhësore të qytetarëve shqiptarë dhe është e papranueshme në një shtet multietnik.

Së dyti, kërkojmë rishikim të lartësisë së dënimeve dhe të pjesës së tolerancës, me qëllim që qytetarët të mos dëmtohen padrejtësisht. Siguria në komunikacion është e rëndësishme dhe e domosdoshme, por ajo nuk duhet të realizohet në kurriz të mirëqenies dhe jetesës së qytetarëve, përmes dënimeve disproporcionale dhe pa ndjeshmëri sociale.

Së treti, Aleanca për Shqiptarët thekson se zbatimi selektiv i projektit “Safe City” vetëm në disa qytete është i padrejtë dhe diskriminues. Nëse ky projekt synon rritjen e sigurisë publike, atëherë ai duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjithë territorin e shtetit, dhe jo vetëm në tre qytete.

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga institucionet kompetente që urgjentisht të adresojnë këto vërejtje, të hapin debat publik dhe të sigurojnë që çdo projekt i tillë të jetë në përputhje me ligjin, barazinë dhe interesin real të qytetarëve.

Aleanca për Shqiptarët

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com