Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në konferencën e sotme për media është ndalur te gjendja aktuale në gjyqësor dhe qasja e Ministrisë së Drejtësisë ndaj konstatimit të gjendjes faktike në terren dhe ndërmarrjes së masave konkrete informon Tetovasot.
Filkov theksoi se publiku gjatë periudhës së fundit ka qenë dëshmitar i ngjarjeve dhe rasteve që kanë thelluar shqetësimin për integritetin, përgjegjësinë dhe funksionimin e gjyqësorit dhe prokurorisë.
“Fenomenet e tilla nuk guxojnë të relativizohen dhe as të injorohen. Kur lëndë për korrupsion të lartë qëndrojnë me vite pa epilog dhe kur dyshime të dukshme nuk marrin përgjigje institucionale, atëherë qytetarët me të drejtë pyesin: ku është drejtësia?”, deklaroi Filkov.
Ai u ndal veçanërisht te rasti i gjykatësit të Apelit, te i cili u gjetën 350 mijë euro të fshehura dhe të muruara në mur, duke e cilësuar këtë jo vetëm si skandal, por si simbol të një dobësie të thellë sistemore.
“Ky nuk është vetëm skandal. Ky është simbol i një kulture pandëshkueshmërie, heshtjeje dhe mbrojtjeje të ndërsjellë, e cila prej kohësh po e gërryen besimin në sistemin e drejtësisë”, tha ministri i Drejtësisë.
Sipas Filkovit, ky rast e dëmton rëndë besimin në të gjithë gjyqësorin dhe vë në pikëpyetje vetë funksionin e gjyqtarit, i cili duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe drejtësisë, e jo privilegj personal.
Ai foli edhe për sfidat serioze në funksionimin e prokurorisë, duke përmendur mungesën e efikasitetit, kapacitetet e kufizuara dhe mungesën e vendosmërisë në luftën kundër formave më të rënda të krimit.
“Hulumtimet për perceptimin e korrupsionit tregojnë se besimi në gjyqësor dhe prokurori është rëndë i dëmtuar. Ky besim nuk mund të kthehet brenda natës, as me një vendim të vetëm”, theksoi Filkov.
Ai shtoi se problemi është sistemor dhe nuk lidhet vetëm me raste individuale, prandaj, sipas tij, pa reforma të thella dhe të orientuara mirë, dukuritë e tilla do të vazhdojnë të përsëriten.
“Prandaj Ministria e Drejtësisë ka qasur në mënyrë sistematike, duke konstatuar gjendjen faktike në terren dhe duke ndërmarrë hapa konkretë”, përfundoi Filkov.