Barcelona po kërkon ta lidhë Fermin López me një kontratë të re, pas nisjes së shkëlqyer të sezonit nga ana e tij. 22-vjeçari ka qenë një nga lojtarët më konstantë për Hansi Flick këtë sezon, gjë që e tregoi qartë edhe kundër Slavia Prague të mërkurën në mbrëmje.
López realizoi një dopietë për ta rikthyer Barcelonën në lojë kundër Slavia-s, pasi katalanasit pësuan gol pas vetëm 10 minutash. Goli i dytë ishte një goditje spektakolare nga distanca që përfundoi në cep të portës, duke e çuar bilancin e tij këtë sezon në 10 gola dhe 10 asistime. Këto shifra kanë ardhur në vetëm 24 paraqitje, shumë prej të cilave jo si titullar, dhe aktualisht ai mesatarisht kontribuon në një gol çdo 76 minuta.
Sipas “Sport”, Barcelona është takuar me agjentin e Fermin-it për të diskutuar një kontratë të re. Marrëveshja aktuale e tij është e vlefshme deri në vitin 2029 dhe López ka deklaruar gjithmonë dëshirën për të qëndruar në “Camp Nou”, por rritja e interesimit ndaj tij e ka shtyrë klubin të veprojë. Chelsea bëri një ofertë të vonshme për të gjatë verës, por López e refuzoi, ndërsa ka zëra se “Blutë” janë sërish të interesuar për ta transferuar.
Gjigantët katalanas synojnë t’i ofrojnë López-it një rritje të ndjeshme page dhe, si pasojë, ta zgjasin kontratën me dy vite të tjera. Thuhet se të dyja palët janë të gatshme për të arritur një marrëveshje.
Pavarësisht se klubi raportohet të jetë i hapur ndaj një oferte të majme për Fermin-in në verë, ai vazhdon të tregojë rëndësinë e tij për skuadrën. Sezonin e kaluar u dallua si një alternativë më se e vlefshme nga stoli ose në rast dëmtimesh, por tani është seriozisht në garë për një vend titullari. Me Dani Olmo dhe Raphinha që kanë munguar herë pas here për shkak dëmtimesh, López është shndërruar në një nga pikat më të qëndrueshme të repartit ofensiv për Hansi Flick.