Në përvjetorin e 15-të të krimit shtetëror të 21 janarit, kryeministri Rama tha se mbetet një përvjetor i trishtë dhe një plagë e hapur jo vetëm për familjarët e katër protestuesve të vrarë, por edhe për moralin e drejtësisë dhe themelet e shtetit shqiptar.
Duke folur për këtë ngjarje, Rama theksoi se krimi i 21 Janarit i përket atyre krimeve shtetërore për të cilat drejtësia mund të vonojë, por nuk harron, pasi koha nuk i fshin dot nga kujtesa dhe nga tryezat e njerëzve të drejtësisë.
“21 janari ishte përvjetori i trishtë pas vrasjes së 4 protestuesve dhe përsëri erdhi me hijen përqeshëse të padrejtësisë. Mbetet një plagë e hapur jo vetëm për familjarët, por edhe për moralin e drejtësisë dhe themelet e shtetit shqiptar
Ne përsëri u mblodhëm dhe e bëmë ritin e nderimit të 4 dëshmorëve në prani të familjarëve, të cilët presin drejtësi. 21 janari është në llojin e atyre krimeve shtetërore për të cilat drejtësia vonon, por nuk harron. Koha nuk i zhben dot nga kujtesa dhe nga tryeza e njerëzve të drejtësisë. Shpresoj që SPAK-u, që prej 6 vitesh ka marrë jetë dhe gëzon mbështetjen e padiskutueshme dhe ka pasur gjatë gjithë kohës inkurajimet më të sinqerta për të vënë drejtësinë në binarë, të zgjohet dhe të bëjë punën e vet.”