Vetëm gjatë dy ditëve, më 8 dhe 9 janar, në rrugët e Iranit mund të jenë vrarë mbi 30 mijë persona. Kështu shkruan revista Time, duke cituar dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë iraniane, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti.

Sipas burimeve të saj, gjatë atyre dy ditëve rezervat e qeseve të zeza që përdoren për trupa të pajetë ishin shteruar, ndërsa ambulancat u zëvendësuan nga kamionë të rëndë për transportin e viktimave. Shifra e raportuar prej Time nuk përfshin personat që kanë ndërruar jetë më pas në spitalet ushtarake apo viktimat në zona ku nuk janë dhënë bilance zyrtare.

Në të njëjtën kohë, në media është ngritur pikëpyetja nëse udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, ndodhet ende në detyrë. Disa media, duke cituar faqen Iran International, pranë opozitës iraniane, kanë shkruar se ai është fshehur në një strehë nëntokësore në Teheran.

Kjo hipotezë është mohuar nga konsulli iranian në Mumbai, i cili ka deklaruar se Khamenei ka personel sigurie që e mbron, por se nuk ka arsye të mendohet se ai është fshehur në bunker.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbeten shumë të larta. Presidenti Donald Trump ka vazhduar me deklarata kontradiktore, duke lënë të kuptohet herë për ulje tensionesh dhe herë për forcim të pranisë ushtarake amerikane në rajon.

Sipas mediave amerikane, Pentagoni ka dërguar mjete shtesë ushtarake në Lindjen e Mesme, ndërsa Irani ka paralajmëruar se çdo sulm do të trajtohet si një “luftë totale”.

Sipas dy funksionarëve të cituar nga NewYork Times, Pentagoni ka nisur drejt Lindjes së Mesme aeroplanmbajtësen Linkoln, dhjetëra avionë F-15 dhe 3 raketa shkatërrues.

Presidenti Trump ka angazhuar edhe Jared Kuchnerin dhe Steve Witkoffin të cilët ndodhen në Izraeli për të folur me Benyamin Netanyahun mbi situatën në Iran dhe në Gaza.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com