Nga Amerika Latine drejt Evropës, sekuestrohen rreth 9 tonë kokainë në një nëndetëse në Portugali! Humbin dhjetëra pako gjatë fundosjes
Autoritetet portugeze kanë realizuar sekuestrimin më të madh të kokainës të regjistruar ndonjëherë në Portugali dhe një nga më të mëdhenjtë në Europë, pasi ndaluan një “narko-nëndetëse” që vinte nga Amerika Latine.
Në kuadër të operacionit me emrin “Adamastor”, autoritetet portugeze sekuestruan rreth 300 pako kokaine, që korrespondojnë me afërsisht nëntë tonë lëndë narkotike. Droga transportohej me një mjet gjysmë-nëndetës, i cili u kap në det të hapur, 230 milje detare larg Ishujve Azore.
Sipas autoriteteve, kjo sasi droge mund t’u sillte trafikantëve qindra miliona euro fitime. Mjeti gjysmë-nëndetës transportonte gjithsej 300 pako, por rreth 35 prej tyre humbën në det, kur anija u fundos.
Në bord ndodheshin tre shtetas kolumbianë dhe një venezuelian, të cilët u shpëtuan para fundosjes së mjetit dhe më pas u arrestuan nga autoritetet lokale. Sipas Policisë Gjyqësore të Portugalisë (PJ), të arrestuarit janë pjesë e një rrjeti kriminal dhe do të paraqiteshin për marrje në pyetje në Ponta Delgada, në Azore.
Autoritetet nuk e kanë bërë të ditur destinacionin përfundimtar të ngarkesës, por theksuan se droga nuk ishte e destinuar për një shtet të vetëm, por për shpërndarje të gjerë në kontinentin europian.
Policia Gjyqësore njoftoi se operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Marinën Ushtarake dhe Forcat Ajrore Portugeze, në kuadër të luftës kundër trafikut ndërkontinental detar të drogës. Bëhet fjalë për sekuestrimin më të madh të kokainës në historinë e Portugalisë dhe një nga më të mëdhenjtë në Europë.
Gjatë një konference për shtyp, drejtori i Njësisë Kombëtare për Luftën kundër Trafikut të Drogës (UNCTE), Artur Vaz, deklaroi se janë rikuperuar 265 pako, me një sasi totale të vlerësuar në rreth nëntë tonë kokainë.
Operacioni u mbështet gjithashtu nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara (DEA, JIATF-S) dhe të Mbretërisë së Bashkuar (NCA), në kuadër të MAOC-N, dhe u zhvillua në kushte jashtëzakonisht të vështira atmosferike. Policia Gjyqësore theksoi se hetimet vijojnë, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, nën mbikëqyrjen e DIAP të Rajonit të Azoreve.