Takim i Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit për Çështje Evropiane, Bekim Sali, me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës
Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Rafael Soriano Ortiz.
Gjatë takimit u diskutuan marrëdhëniet e ngushta bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Spanjës, si dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë politikën evropiane, ekonominë, arsimin dhe kulturën. Një fokus i veçantë u vu mbi procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar rëndësinë e avancimit të reformave të brendshme dhe përmbushjes së kritereve evropiane.
Në takim u trajtua gjithashtu agjenda reformuese në zhvillim, e cila synon përforcimin e institucioneve, transparencën dhe përmirësimin e klimës investuese, duke e vendosur vendin më pranë standardeve të Bashkimit Evropian. Palët shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin dhe për të forcuar marrëdhëniet strategjike midis dy vendeve.

