Shkup, 29.01.2026 – Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, sot kryesoi seancën e parë konstituive të Kolegjiumit të drejtorëve të shërbimeve shtetërore inspektuese, me ç’rast Ministria e Administratës Publike përmbushi obligimin ligjor për mbajtjen e kësaj seance dhe njëkohësisht vendosi bazat për bashkëpunim më efikas, më sistematik dhe të harmonizuar ndërmjet të gjitha organeve inspektuese në vend raporton Tetovasot.
Qëllimi i Kolegjiumit, sipas ministrit Minçev, nuk është vetëm koordinimi formal, por përmirësimi thelbësor i shkëmbimit të informatave dhe praktikave të mira, harmonizimi i procedurave inspektuese, planifikimi i përbashkët i aktiviteteve, si dhe identifikimi dhe tejkalimi në kohë i sfidave sistemore.
“Pres që ky Kolegjium të shndërrohet në një platformë reale për dialog strategjik, ku do të hapen çështje me interes të përbashkët, do të propozohen zgjidhje konkrete dhe do të ndërtohen politika që do të kontribuojnë për siguri më të madhe juridike, shërbime më të mira për qytetarët dhe biznesin, si dhe rritje të besimit në institucione”, theksoi ministri Minçev.
Në seancë u theksua se Ministria e Administratës Publike do të mbetet partner i fuqishëm dhe aktiv në procesin e reformimit të sistemit inspektues, me fokus të qartë në profesionalizimin e shërbimeve inspektuese, forcimin e kapaciteteve institucionale, digjitalizimin e proceseve dhe zbatimin konsekuent të zgjidhjeve ligjore.
Minçev nënvizoi gjithashtu se Ligji i ri për mbikëqyrje inspektuese i kushton rëndësi të veçantë planifikimit si bazë për një mbikëqyrje cilësore, efikase dhe të parashikueshme.
“Ky ligj nuk është vetëm një kornizë formale normative, por një mjet thelbësor reformues që vendos standarde të reja profesionalizmi, përgjegjësie dhe koordinimi në punën e shërbimeve inspektuese”, theksoi Minçev.



