Mickoski: Në Davos u bisedua për bashkëpunimin me Philips, për përfitimet nga operatori i ri 4iG, si dhe për potencialin e rajonit nga investimet e reja në energjetikë dhe inteligjencën artificiale
Gjatë seancës së sotme të Kuvendit kushtuar pyetjeve të deputetëve, kryeministri Mickoski iu përgjigj pyetjes së drejtuar atij për përfitimet që priten për Maqedoninë nga takimet dhe bisedimet e realizuara në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Ai vuri në dukje se si kryeministër nuk do t’i humbasë dy ngjarje të karakterit ndërkombëtar, e ato janë forumi i Davosit dhe Konferenca e Sigurisë e Mynihut.
E para është një ngjarje në të cilën jo vetëm elita politike botërore, dhe më e rëndësishmja për mua, elita e biznesit, por edhe njerëz nga shkenca, dërgojnë mesazhe që përcaktojnë hapat se si do të zhvillohet bota dhe njerëzimi në dekadën e ardhshme, dy ose tre. Dhe ne si shtet ishim prezentë në ato ngjarje ku ata i dërgonin ato mesazhe, ndërsa unë personalisht isha folës në tri panele, ku dhashë kontributin tim personal. Kjo është rëndësia e të parës. Më shumë gjeostrategjike dhe politike është ajo në Mynih, ku gjithashtu do të jemi si delegacion qeveritar, nga data 12.02 deri më 15.02. Vlerësoj se si shtet këto dy ngjarje nuk guxojmë t’i humbasim. Pavarësisht se kush është kryeministër, kur të largohem unë dhe kur të vijë dikush pas meje, kjo do të jetë këshilla e parë që do t’i jap – theksoi Mickoski.
Ai vuri në dukje se vitin e ardhshëm do të duhet të ketë një delegacion më të madh biznesi në Davos, pasi kjo është esenca kryesore e ngjarjes.
Takimet “biznes me biznes” janë ato që janë më thelbësore në këtë ngjarje. Ne patëm një takim bilateral me udhëheqjen më të lartë të kompanisë Philips për Evropën, sepse si Qeveri kemi ndërmend të bëjmë një hartëzim të nevojave për institucionet shëndetësore në të gjithë territorin e shtetit, në pjesën e instrumenteve dhe pajisjeve, ndërsa vlerësojmë se Philips është një nga kompanitë lidere në botë, e cila nga portofoli i saj prodhues mund të ofrojë pajisje moderne të cilësisë botërore për të përmbushur nevojat e institucioneve tona shëndetësore. Po të mos ishte ai takim, ne sot nuk do ta dinim një fakt: se minimumi 35% e pajisjeve të blera mund të jetë grant i siguruar nga agjencia holandeze e eksportit – tha kryeministri.
Mickoski foli edhe për takimin e dytë me operatorin e tretë celular në Maqedoni, 4iG, gjë që do të thotë shumë përfitime për qytetarët dhe minimum 100 milionë euro investime e qindra vende të reja pune të paguara mirë.
Më tej isha panelist me sekretarin amerikan të energjetikës, Wright, së bashku me drejtorin kryesor ekzekutiv të kompanisë amerikane “offshore” AES, flasim për drejtorin kryesor ekzekutiv të kompanisë ARAMCO, e cila është kompania kryesore përmes së cilës eksportohen energjentët nga Arabia Saudite, pastaj drejtorin e Asociacionit Botëror të Energjetikës, etj. Këtë e përmenda në intervistën para dy-tri ditësh, se dy gjëra ishin kyçe në mesazhet e politikanëve dhe të njerëzve të fushës: energjia-rryma dhe inteligjenca artificiale.
Një shoqëri që nuk do ta njohë këtë, një shoqëri që nuk do ta zbatojë këtë, është e destinuar drejt dështimit. Nuk do të jetë konkurruese, nuk do të ketë zhvillim ekonomik, nuk do të ketë të hyra në buxhet dhe nuk do të ketë as për bujqit, as për arsimin, as për shëndetësinë e për asgjë tjetër. Kjo është shumë e rëndësishme. Që inteligjenca artificiale të punojë siç duhet dhe t’u ofrojë shërbime qytetarëve, është e nevojshme të kemi një shoqëri digjitale dhe të kemi qendra të të dhënave me kompjuterë të fuqishëm që furnizohen vazhdimisht me energji elektrike. Kjo do të thotë se do të jetë e nevojshme të ndërtohen kapacitete të reja prodhuese për energji elektrike – vuri në dukje Mickoski dhe shtoi se nevojiten gjithsej 40.000 teravatë kapacitete të reja të instaluara në dekadën e ardhshme.
Imagjinoni që ne këtu si rajon të bashkohemi dhe nga ato 40.000 teravatë, të arrijmë të tërheqim 0,01%. Kjo është 4 teravatë, kjo është 4 trilionë euro, kjo është 400 miliardë euro në 10 vitet e ardhshme, gjegjësisht dyfishi i PBB-së nominale të të gjitha 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor – konkludoi kryeministri Mickoski.