“Sot, së bashku me pushtetin lokal, drejtorin e Ndërmarrjes Publike Komunale dhe Shoqatën e mbarështimit të deleve, jemi për vizitë te fermeri Nikolla, i cili, fatkeqësisht, gjatë reshjeve të dendura të shiut humbi kopenë e tij të deleve dhe qengjave,” theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.
“Në kuadër të vizitës sime dhe bisedës me Nikollën, u theksuan disa çështje, ndër të cilat edhe fakti se Komuna që në seancën e djeshme ka formuar një komision për vlerësimin e dëmeve nga stuhia e ndodhur. Komisioni përbëhet edhe nga përfaqësues të Ministrisë dhe do të bëjë vlerësimin e dëmeve në pronën e tij,” sqaroi ministri.
Ai shtoi se fermeri Nikolla, në përputhje me procedurat dhe ligjin, do të dëmshpërblehet nga Qeveria.
“Gjithashtu, së bashku me Shoqatën e mbarështuesve të deleve, në kuadër të organizimit të tyre, janë mobilizuar anëtarët. Secili prej tyre, në përputhje me mundësitë e veta, do të ndihmojë me bagëti të gjalla që do t’i dhurohen Nikollës,” theksoi ministri Tripunovski.
Ministri nënvizoi se është në komunikim edhe me kompani shoqërisht të përgjegjshme nga rajoni, të cilat do të ndihmojnë me donacione të materialeve ndërtimore për ndërtimin e një stalle të re, në mënyrë që fermeri të mund të vazhdojë me mbarështimin e deleve të mbijetuara dhe atyre që do t’i marrë.
“Po dalim në ndihmë dhe do të ndihmojmë maksimalisht që situata të sanohen dhe të rikthehet në funksion normal. Ndërmarrja Publike Komunale do të ndërmarrë aktivitete për pastrimin e një pjese të rrjetit të kanaleve, me qëllim që të mos ndodhë përsëri përmbytje,” sqaroi ministri.

