Trendafillov ka ftuar kryeministrin që të hënën në ora 09:00 të shkojë te LSM për ta nënshkruar atë marrëveshje….

Pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski, se kryetari i Lidhjes së Sindikatave, Sllobodan Trendafillov, nuk e ka pranuar një rritje të pagave prej 40 për qind në 2 vitet e ardhshme, Trendafillov, ka ftuar kryeministrin që të hënën në ora 09:00 të shkojë te Lidhja e Sindikatave për ta nënshkruar atë marrëveshje.

“Të hënën në ora 09:00, le të vijnë në LSM dhe ta nënshkruajmë atë marrëveshje të re kolektive, me të cilën do të rriten pagat e të gjithë punonjësve për 40 për qind, siç thuhet në komunikatat e tyre. Po ashtu në vend që kjo rritje të bëhet në vitin 2028, le ta zmadhojnë pagën minimale nga muaji shkurt 2026, po e presim, por nëse nuk do të vijë, çka do të bëjnë atëherë?! Ja edhe njëherë, po i ftoj, ejani ta nënshkruajmë dhe të largohen këto pretendime se jemi të kapur politikisht.”, – deklaroi kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.

Trendafillovi po ashtu theksoi se nuk është optimist se kryeministri do të shkojë për ta nënshkruar një marrëveshje të till,ë prandaj ato kanë paraparë që të vazhdojnë me protestat dhe hapi i parë do të jetë bllokimi i deputetëve.

“Deputetët në Kuvend do të jenë të parët të cilët do t’i bllokojmë, sepse ato po i bllokojnë punëtorët gjithë vitin, me mos aprovimin e ligjit për rritjen e pagës minimale.”, – u shpreh kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.

Mickoski: Rritja ishte ofruar deri në vitin 2028

Ndërkohë kryeministri Hristijan Mickoski ka sqaruar ofertën, që sipas tij, e kishte refuzuar Lidhja e Sindikatave.

“Nëse rroga mesatare është 30 mijë denarë, tani në muajin prill do të kemi nivelimin e rrogës së marsit, që do të rritet. Të parashikojmë se ajo do të rritet për 1.500 denarë. Atëherë këto 30 mijë denarë plus 1.500 denarë të rritura për 8% do ta japin shumën X. Vitin e ardhshëm, në prill të vitit 2027, ato X para përsëri do të rriten për rrogën minimale të parashohim se do të jetë përsëri 1.500 denarë. Kjo shumë X dhe ato 500 denarë do të rriten edhe për 8% dhe do të fitojmë shumën Y të parave. Vitin e tretë 2028 në muajin prill përsëri do të rriten për rrogën minimale prej 1.500 denarësh dhe tërë kjo përsëri do të rritej për 8% dhe do të fitojmë rritjen prej minimalisht 40%.”, – deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

LSDM: Propozim-ligj që paga minimale të jetë 600 euro

Mickoski po ashtu ka sqaruar se për ta nënshkruar këtë marrëveshje, kushti ka qenë që në marrëveshjen e përgjithshme kolektive pjesa e rrogave të shlyhet dhe në këtë periudhë prej tre vitesh të negociohet dhe arrihet marrëveshje e re kolektive. Ndërkohë nga VMRO-DPMNE kanë deklaruar se ofertën e Qeverisë për rritjen e pagave për 40%, LSM-ja dhe Trendafillovi nuk e kanë pranuar, pasi është i kapur nga LSDM-ja opozitare. Por, nga LSDM-ja paralajmërojnë se do ta dorëzojnë propozim-ligjin në Kuvend, në të cilin parashihet rritja e pagës minimale në 600 euro.

“Qeveria e Mickoskit duhet të sigurojë para për rritjen e pagës minimale me 600 euro. Maqedonia sot ka pagën minimale më të ulët në rajon dhe në Evropë. Gjatë qeverisjes së LSDM-së, paga minimale u rrit nga 8.000 denarë në mbi 20.000 denarë dhe paga mesatare nga 22.000 denarë në mbi 42.000 denarë. LSDM-ja ka përgatitur zgjidhje të reja ligjore për rritjen e pagës minimale në 600 euro dhe ngrirjen e pagave të zyrtarëve. Ja ku është një zgjidhje ligjore në tavolinë, tani do të shohim se cilat palë do të jenë në anën e punëtorëve dhe cilat do të mbeten në anën e tenderëve.”, – thuhet në komunikatën e LSDM-së.

Nga Lidhja e Sindikatave po ashtu janë ankuar se zyrtarë të lartë dhe udhëheqës të ndërmarrjeve të rëndësishme shtetërore po ushtrojnë presion që protestat të heshtin.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com