Komisioni Evropian ka caktuar për javën e ardhshme një takim me ministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për çështjet e ngritura nga transportuesit e rajonit, të cilët ditët e fundit bllokuan pikat kufitare drejt zonës Shengen, njoftoi sot zëdhënësi i KE-së për Çështje të Brendshme, Markus Lammert.

“Jemi të vetëdijshëm për shqetësimet e shprehura nga operatorët e transportit nga Ballkani Perëndimor. Situatën po e ndjekim me kujdes dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me partnerët tanë në rajon. Të mërkurën u mbajt një takim mes Komisionit dhe ambasadorëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa për javën e ardhshme është paraparë edhe një takim shtesë me ministrat e vendeve të prekura”, deklaroi Lammert.

Ai theksoi se Komisioni Evropian është plotësisht i përkushtuar ndaj çështjeve të ngritura nga transportuesit, duke shtuar se edhe Strategjia për viza, e publikuar dje, parasheh bashkëpunim të ngushtë me shtetet anëtare “me qëllim identifikimin e zgjidhjeve pragmatike që sigurojnë njëkohësisht siguri dhe përfitime ekonomike për BE-në, si dhe qartësi ligjore për udhëtarët”.

“Në bazë të këtyre diskutimeve, do të shqyrtohet edhe mundësia e futjes së legjislacionit të ri me një set të veçantë rregullash për zgjatjen e qëndrimit afatshkurtër në nivel të BE-së”, shtoi Lammert.

I pyetur nga gazetarët se kur mund të priten këto rregulla të reja, Lammert u përgjigj se për momentin nuk mund të japë një kornizë kohore konkrete.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com