FC Shkupi ka dalur sot me një komunikatë për mediat dhe opinionin, duke sqaruar gjendjen e klubit dhe menaxhimit se si po vijon. Ata janë shprehur se janë duke punuar me përkushtim të madh për të nisur sa më mirë gjysmësezonin dhe kanë kërkuar mbështetjen e të gjithëve, duke përfshirë bizneset për ta shpëtuar klubin dhe për ta rikthyer dinjitetin e FC Shkupit.
Në vijim mund ta lexoni komunikatën e plotë të FC Shkupit:
Të nderuara media, qytetarë, dashamirë të sportit në përgjithësi dhe futbollit në veçanti, tifozë të Klubit Futbollistik Shkupi, Shvercera,
Jemi dëshmitarë se situata në klub ka qenë dhe është alarmante. Jemi dëshmitarë se në kohën e kaluar, sidomos këto 2-3 vitet të fundit tej masë është keqpërdorur dhe është manipuluar, dhe çka është më e keqja nga të gjitha, është humbur dinjiteti dhe identiteti i klubit. Është plaçkitur dhe grabitur gjithçka që ka mund të plaçkitet dhe grabitet. Klubi dhe ata që kanë udhëhequr këtë klub në të kaluarën akuzohen për korrupsion dhe ryshfet, akuzohen për mallverzime financiare, akuzohen për mos pagesa të detyrimeve ndaj lojtarëve dhe punëtoreve në klub, akuzohen për kontrata të dyshimta dhe fiktive me lojtarë, punëtorë dhe subjekte tjera, dhe ajo që është me e keqja për një klub dhe shoqatë sportive, akuzohen edhe për trukime të ndeshjeve dhe manipulime të rezultateve. Për të gjitha këto gjëra kemi dëshmi, të faktuara dhe të dokumentuara.
Jo rastësisht, kur flasim dhe bisedojmë me njerëz me dinjitet që kanë lënë pas tyre rezultate dhe vepra, qoftë në sport, biznes apo ndonjë lëmi tjetër, jo rrallë hezitojnë që të afrohen që të investojnë apo edhe të japin kontributin e tyre.
Mirëpo, siç po e shihni edhe vetë, nga fillimi i Janarit të këtij viti, në klub po ndodhin lëvizje dhe ndryshime. Ne, qytetarët, dashamirët dhe simpatizantët e KF Shkupit, tifozët e thjeshtë si dhe grupi i tifozëve “Shvercerat” kemi vendosur të marrim punët në duart tona. Për këtë arsye kemi krijuar një grup pune në formë të “Këshilli për shpëtim dhe rikthim të ndershmërisë, dinjitetit dhe identitetit të Klubit Futbollistik Shkupi”.
Jemi të vetëdijshëm se na pret shumë punë dhe kjo është një sfidë që kërkon shumë angazhim, përkushtim dhe punë. Jemi të vetëdijshëm se do të ballafaqohemi me shumë pengesa dhe obstruksione. Gjithashtu jemi të vetëdijshëm se nuk kemi shkop magjik dhe se nuk mund të ndërrojmë gjendjen brenda natës, POR NE JEMI TË VENDOSUR SE KËTIJ PROCESI DO TI SHKOJMË DERI NË FUND!
Dikujt ndoshta edhe ia kemi prishur “rehatinë” apo mundësinë për përfitim në mënyrë jo të ndershme në kurriz të klubit, por jemi stoik që të vendosim themele të shëndosha në klub dhe të përmirësojmë çdo lëshim apo gabim që është bërë në të kaluarën në raport me gjërat që kemi përmendur më lartë.
ASNJË INDIVID, KUSH DO QOFTË AI, NUK ËSHTË MBI KLUBIN! Nuk ka me tepër: “unë e bëra” kur bëhet fjalë për arritje dhe “unë nuk kam faj” kur bëhet fjalë për dështime, por ka “ne e kemi bërë” ose “klubi e ka bërë” për arritjet dhe “unë kam gabuar” dhe “unë marr përgjegjësi” për dështimet. Natyrisht se edhe ne jemi njerëz dhe gabime mund dhe do të na ndodhin, por nëse ato nuk janë me prapavijë atëherë jemi fleksibil. Nuk ka më tepër përfitime personale në mënyra të pandershme në emër apo kurriz të klubit!
Nga stërvitja e parë me 11 janar që ishte e hapur për publikun, na janë bashkangjitur shumë përkrahës dhe njerëz që dëshirojnë të ndihmojnë. Kemi ndihmë nga njerëz por edhe donacione nga bizneset që menaxhohen nga dashamirë dhe tifozë të klubit. Jemi munduar që të krijomë kushte sa më të mira për ekipin që të vijojë stërvitjet, kemi zhvilluar dy ndeshje miqësore si mysafir dhe këtë javë do të kemi edhe një ndeshje në stadiumin tonë.
Fatkeqësisht në këtë moment kemi ndalesë për transferime të lojtarëve dhe maksimalisht jemi të angazhuar me të gjitha forcat tona që ta bëjmë të mundur që të lirohet.
Punimet për krijimin e kushteve elementare në zhveshtore dhe në tribunën e re për licencimin e saj për ndeshjet e kampionatit vazhdojnë. Po bëjmë përgatitjet e fundit për fillim të gjysmë stinorit pranveror dhe vazhdim të kampionatit. Po bëjmë riorganizimin dhe po krijojmë strukturat e klubit. Po vendosim njerëz adekuat në çdo pozitë, më të mirët për momentin që kanë vullnet dhe dëshirë për punë dhe për të dhënë kontributin e tyre.
Gjithashtu, po bëjmë përgatitjet e fundit për anëtarësimet në klub. Ju ftojmë që së bashku me miqtë dhe familjarët tuaj të bashkoheni të gjithë, në mënyrë të jemi të gjithë bashkë në këtë proces. Për anëtarësimet do të plotësohet një formular me të dhënat e anëtarit (telefon për kontakt dhe e-mail) dhe në atë mënyrë do të jeni të informuar për çdo gjë në lidhje me punën financiare të klubit. Të jesh anëtar i klubit do të thotë të përmbushësh obligimet dhe shijosh privilegjet që mund ti ketë një anëtar i KF Shkupit. Në fillim anëtarësimet do të bëhen në zyrat e klubit si dhe në disa pika të shitjes nëpër lagje të ndryshme dhe pas hapjes së xhirollogarisë së veçantë për anëtarësime dhe donacione, ato do të mund të bëhen edhe nëpërmjet pagesës bankare apo online.
Edhe një herë ftojmë të gjithë qytetarët, dashamirët dhe simpatizantët e klubit, autoritetet dhe institucionet lokale dhe qendrore, bizneset e vogla dhe të mëdha që të bashkohen iniciativës për shpëtim dhe rikthim të ndershmërisë, dinjitetit dhe identitetit të Klubit Futbollistik Shkupi.
info@fcshkupi.com
NA PRIFTË E MBARA!
#FCShkupi