Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, iu drejtua Samitit Botëror të Laureatëve në Dubai me mesazh për të ardhmen e arsimit, duke theksuar se “ndryshimi në botë kërkon ndryshim në arsim”, veçanërisht në epokën e inteligjencës artificiale dhe transformimeve digjitale globale, transmeton Anadolu.

Siljanovska-Davkova, mbajti fjalim në samitin ku u mblodhën rreth 150 shkencëtarë eminentë, përfshirë fitues të Çmimit Nobel dhe drejtues të institucioneve kërkimore globale. Ajo theksoi se ndryshimi i botës kërkon domosdoshmërisht ndryshim të thellë në arsim dhe një mënyrë të re të të kuptuarit të realitetit përmes syve të brezave të rinj.

Në qendër të fjalimit ishte ideja se modeli tradicional i arsimit, i trashëguar nga shekulli XIX, nuk i përgjigjet më realitetit të sotëm digjital. Presidentja vuri në dukje se arsimi nuk mund të mbetet një proces njëkahësh i transmetimit dhe memorizimit të fakteve, por duhet të shndërrohet në një hapësirë për mendim kritik, kreativitet dhe kërkim.

Ajo foli për rolin e inteligjencës artificiale në arsim, duke theksuar se ajo është tashmë pjesë e pashmangshme e jetës moderne. “Inteligjenca artificiale nuk mund dhe nuk duhet të ndalohet”, theksoi Siljanovska-Davkova, duke shtuar se megjithatë, ajo duhet të rregullohet për shkak të rreziqeve që sjell, përfshirë varësinë dhe pabarazinë.

Ajo përmendi edhe nevojën për reformë të thellë në sistemin arsimor të Maqedonisë së Veriut. Presidentja pranoi se rezultatet aktuale janë të pamjaftueshme, por theksoi se vendi ka potencial të madh njerëzor dhe shkencor që duhet mbështetur dhe zhvilluar përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në fund, Siljanovska-Davkova theksoi se madhësia e një shteti nuk përcakton peshën e tij në shkencë. “Në shkencë nuk ka shtete të vogla apo të mëdha, por vetëm ide të vogla dhe ide të mëdha”, tha ajo. Siljanovska-Davkova ftoi komunitetin shkencor global që të bashkëpunojë me institucionet akademike të Maqedonisë së Veriut për projekte kërkimore nga të cilat mund të përfitojnë të gjithë.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com