Dimitrieska-Koçoska: Qeveria nuk do të lejojë ulje të pagave minimale, Marrëveshja e përgjithshme kolektive duhet të pësojë ndryshime
Qëndrimi i Qeverisë që Marrëveshja e përgjithshme kolektive duhet të pësojë ndryshime ishte i saktë sepse Qeveria duhet të jetë përgjegjëse ndaj të gjithë qytetarëve dhe nuk mund të lejojë ulje të pagave, veçanërisht tek ata me të ardhurat më të ulëta në administratë.
Kjo u theksua nga ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska e ftuar në emisionin “360 Shkallë”, ku ritheksoi se për pagën minimale duhet të dakordohen të punësuarit dhe punëdhënësit, sepse pagat e të punësuarve në sektorin privat sigurohen nga sektori privat, ndërsa Qeveria është përgjegjëse për sigurimin e pagave të administratës.
“Si Qeveri, duhet të jemi përgjegjës ndaj të gjithë qytetarëve, respektivisht kjo i referohet administratës dhe ne nuk mund të lejojmë që disave, veçanërisht atyre me pagat më të ulëta, t’u ulen pagat. Marrëveshja e përgjithshme kolektive parashikon rritje të pagave dhe nëse zbatohet metodologjia që kanë propozuar, rritja duhej të ishte e tillë që ata me pagat më të larta të kishin rritjen më të madhe dhe ata me pagat më të ulëta jo vetëm që nuk do të merrnin rritje, por disa prej tyre do të kishin edhe ulje.
U krijuan situata ku paga e tyre duhej të ulej me një përqind, përkatësisht, duhej ta ulnim një pjesë të pagës së tyre. Mendoj se vendimi i Qeverisë në atë moment që Marrëveshja e përgjithshme kolektive duhej të pësonte ndryshime të caktuara ishte i saktë”, theksoi ministrja e Financave.
Ajo theksoi se lidhur me pagën minimale, punëdhënësit dhe të punësuarit duhet të ulen dhe të arrijnë marrëveshje midis tyre, ndërsa nga ana tjetër Qeveria është vëzhguese në këtë proces.
“Është logjike që Qeveria të jetë vëzhguese e këtij procesi për një arsye të vetme, respektivisht sektori privat siguron paga për të punësuarit në sektorin privat. Qeveria është përgjegjëse për sigurimin e pagave të administratës dhe mendoj se më shumë së një vit e gjysmë, Qeveria ka arritur sukses në këtë drejtim.
Sa i përket asaj për çfarë duhet të bien dakord punëdhënësit dhe të punësuarit, vlerësoj se ata, ashtu si Qeveria, duhet të zhvillojnë dialog, të arrijnë marrëveshje dhe të bien dakord midis tyre se sa ngarkesë mund të kenë punëdhënësit, sepse edhe ata duhet t’i paguajnë pagat”, nënvizoi ministrja, duke theksuar se çdo i punësuar duhet të marrë një pagë më të lartë, por se ekzistojnë rregulla ekonomike, që do të na destinojnë në një situatë ku gjërat do të stabilizohen ose jo.
Ministrja e Financave theksoi se bëhet fjalë për sigurimin e mjeteve për ndërtimin dhe zgjerimin e spitaleve në Shtip, Tetovë dhe Kërçovë.
“Po, është planifikuar ndërtimi i spitalit në Kërçovë dhe zgjerimi i spitaleve në Tetovë dhe Shtip dhe normalisht edhe prokurimi i pajisjeve në këtë drejtim. Në fund të dhjetorit parashtruam kërkesë te bankat, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e ofertave përfundon javën që vjen. Pas marrjes së ofertave do të kemi pasqyrë më të qartë për kushtet dhe hapat e ardhshëm”, theksoi ministrja. Ajo shtoi se projekti është paraparë për pajisimin e plotë të spitaleve me pajisjet më të fundit moderne mjekësore, ndërsa vlera e përllogaritur për këto tre institucione është rreth 200 milionë euro. Vlera e saktë do të përcaktohet pas përfundimit të analizave të ofertave nga bankat.
Gjatë intervistës, ajo trajtoi edhe temat për realizimin e shpenzimeve kapitale, projektet komunale, korridoret 8 dhe 10D, vendosjen e e-faturës etj.