Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSPK) ka nisur procedura për verifikimin e konfliktit të interesit dhe fshehjes së pasurisë ndaj anëtares së tij, Cveta Ristovska. Hetimi është i përqendruar në financimin e fushatave zgjedhore, pasi kompania “Bust DOOEL”, në pronësi të njërit prej djemve të Ristovskës, ka përfituar nga 35.000 euro nga fushatat e Stevo Pendarovskit dhe Gordana Siljanovska-Davkovës gjatë vitit 2024.

Rasti konsiderohet problematik për shkak se pikërisht Komisioni Antikorrupsion është institucioni kompetent për mbikëqyrjen dhe kontrollin e financimit të këtyre fushatave zgjedhore.

Ristovska dyshohet se në formularin e deklarimit të pasurisë ka ometuar të deklarojë se dy djemtë e saj janë pronarë të agjencive të marketingut.

Ajo i ka mohuar akuzat, duke theksuar se fëmijët e saj nuk jetojnë në një familje të përbashkët me të që nga viti 2017 dhe se aktivitetet e tyre afariste janë të pavarura nga funksioni i saj publik.

Ristovska thekson se në çdo rast kur ekziston rrezik për konflikt interesi, ajo kërkon përjashtim nga vendimmarrja.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume