GjERMA: NJË PLAGË E HAPUR NË KOMUNËN E TETOVËS……!

Në fshatin Gjermë të Komunës së Tetovës, mjerimi nuk është i fshehur – ai është i dukshëm, i prekshëm dhe i përditshëm. Si pedagog shkolle, vizita ime aty nuk ishte thjesht një detyrë profesionale, por një përballje e drejtpërdrejtë me një realitet që dhemb. Fshati po zbrazet ngadalë, jo nga mungesa e dashurisë për vendlindjen, por nga pamundësia për të jetuar me dinjitet.
Shtëpitë e mbyllura janë dëshmi e ikjes së detyruar. Rrugët e qeta mbajnë peshën e hapave që nuk kthehen më. Të rinjtë janë larguar në kërkim të një jete më të mirë, ndërsa kanë mbetur ata që nuk kanë as forcë, as mundësi për t’u larguar. Kryesisht shtresat më të varfra, të lëna në mëshirë të fatit dhe të harresës institucionale.
Jeta në Gjermë është e vështirë jo vetëm për shkak të kushteve ekonomike, por edhe për shkak të mungesës së përkujdesjes. Pushteti lokal dhe ai qendror duken të shkëputur nga kjo realitet. Premtimet nuk mbërrijnë kurrë këtu, ndërsa nevojat janë urgjente dhe reale. Këtu nuk kërkohet luks, por minimumi për një jetë njerëzore.
Si pedagog, dhimbja më e madhe lidhet me arsimin. Shkolla është një nga institucionet e pakta që ende qëndron si simbol shprese. Por kur fshati zbrazet, edhe shkolla rrezikon të mbetet pa zëra fëmijësh, pa të ardhme. Arsimi nuk mund të mbajë i vetëm barrën e padrejtësive sociale dhe ekonomike.
Gjerma sot është një plagë e hapur, jo vetëm për Komunën e Tetovës, por për gjithë shoqërinë. Një plagë që kërkon vëmendje, përgjegjësi dhe veprim. Sepse fshatrat nuk po zhduken nga natyra, por nga neglizhenca. Dhe çdo ditë vonesë e thellon këtë plagë…….
Pedagog :Naim Kurtishi.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com