Telekomi i Kosovës SH.A. ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 72,890 eurosh me kompaninë “Intracom Ltd” nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut, përmes një procedure të negociuar, duke eliminuar garën dhe konkurrencën në tender.

Sipas njoftimit zyrtar për nënshkrimin e kontratës, aktiviteti i prokurimit është iniciuar më 3 nëntor 2025, ndërsa kontrata është nënshkruar më 29 janar 2026. Lënda e kontratës ka të bëjë me “plotësime funksionale në sistemin e billingut”, përfshirë ndërhyrje teknike në platformat ekzistuese të Telekomit të Kosovës, raporton Periskopi.

Dokumenti tregon se Telekomi ka përdorur procedurën e negociuar, e cila sipas Ligjit për Prokurimin Publik lejohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe të arsyetuara qartë. Megjithatë, nga të dhënat e publikuara nuk rezulton se janë përmbushur kushte që do ta justifikonin këtë formë të prokurimit, sidomos duke pasur parasysh se bëhet fjalë për shërbime dhe furnizime teknike ku ekziston treg dhe mundësi konkurrimi.

Një tjetër element që ngre pikëpyetje është fakti se vetëm një operator ekonomik ka marrë pjesë në këtë aktivitet prokurimi, përkatësisht kompania nga Shkupi. Në njoftim thuhet se është pranuar vetëm një ofertë, e cila njëkohësisht është shpallur edhe fituese, duke e bërë procesin formal dhe pa garë reale.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 87,320 euro, ndërsa kontrata përfundimtare është nënshkruar në vlerë prej 72,890 euro, me kriter për dhënie “çmimi më i ulët”. Megjithatë, kur ekziston vetëm një ofertë, kriteri i çmimit humb kuptimin praktik, pasi mungon krahasimi me operatorë të tjerë ekonomikë.

Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, procedura e negociuar pa publikim ose me publikim të kufizuar konsiderohet përjashtim dhe jo rregull, pikërisht për shkak të rrezikut të favorizimit të operatorëve të caktuar dhe kufizimit të konkurrencës. Në këtë rast, përdorimi procedures paraprake nga Telekomi i Kosovës, një ndërmarrje publike, ngre dyshime serioze për respektimin e parimeve bazë të transparencës, trajtimit të barabartë dhe konkurrencës së lirë.

Bazuar në dokument, kontrata parashihet të zbatohet brenda një afati prej 60 ditësh./Periskopi/

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com