Në kuadër të rastit për “turistët snajperistë”, të cilët dyshohet se paguanin për të vrarë njerëz gjatë rrethimit të Sarajevës nga viti 1992 deri më 1995, përfshirë gra dhe fëmijë, po hetohet edhe një shtetas italian, 80 vjeç.

Mediat italiane raportuan për këtë rast, duke thënë se kanë marrë informacione nga burime nga sektori i drejtësisë.

Të dyshuarit, një ish-shofer kamioni 80-vjeçar nga provinca e Pordenones, emri i të cilit nuk është bërë publik, i është dorëzuar një ftesë për marrje në pyetje, e cila është caktuar për të hënën, më 9 shkurt, thanë burimet, transmeton Reuters.

Prokurorët në Milano nuk kanë treguar nëse ai dyshohet për kryerje të drejtpërdrejtë të vrasjeve apo për ndihmë në transport dhe logjistikë për klientët.

Burri, i cili punonte në një kompani të përpunimit të metaleve, është nën hetim sepse, siç thuhet, në vitet ’90 fliste se shkonte në misione të tilla në ish-Jugosllavi, transmeton agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Prokuroria në Milano, e cila e ka thirrur për t’u marrë në pyetje, e akuzon se “në bashkëpunim me persona të tjerë, për momentin të panjohur”, ka zbatuar “një plan të përbashkët kriminal, duke shkaktuar vdekjen e civilëve të paarmatosur, përfshirë gra, të moshuar dhe fëmijë, duke qëlluar me snajper nga kodrat që rrethojnë qytetin e Sarajevës midis viteve 1992 dhe 1995”.

Gavazzeni tha se pretendimet e para për shkuarjen e të huajve në vijën e frontit i kishte parë në vitin 1995, në një shkrim të botuar në gazetën Corriere della Sera, pas së cilës kishte nisur të shkruante një thriller për këtë temë. Ai u shpreh se shpejt e kuptoi se dinte shumë pak dhe hoqi dorë. Por, vetëm deri në vitin 2022 dhe kur pa dokumentarin “Sarajevo Safari” të regjisorit slloven Miran Zhupaniq.

Prokuroria në Milano pritet ta informojë publikun për rezultatet e hetimeve në mars të vitit 2026. Nëse ngrihet aktakuzë dhe vërtetohet fajësia, ky do të jetë rasti i parë në Evropë ku dikush përgjigjet para gjykatës për vrasje me snajper të civilëve në Sarajevë.

Ndërkohë, drejtësia e Bosnjë e Hercegovinës po i verifikon pretendimet, por deri më tani asnjë snajperist nuk është ndjekur penalisht për vrasjen e civilëve, veçanërisht të fëmijëve në Sarajevë.

Gazetarët dhe fotoreporterët e huaj, pothuajse gjatë gjithë kohës së luftës nga viti 1992 deri në fund të vitit 1995, herë pas here kishin mundësi të qëndronin në pozicionet e forcave serbe rreth Sarajevës.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa prej tyre, por askush nuk mundi të konfirmonte se kishte parë ndonjëherë një të huaj që kishte paguar për të ardhur dhe për të qëlluar ndaj civilëve.

Gjatë gati katër vjetëve të rrethimit të Sarajevës, sipas të dhënave të shoqatave të viktimave dhe aktgjykimeve të gjykatave ndërkombëtare, çdo i dhjeti fëmijë i vrarë në qytet u qëllua nga një plumb snajperi. Më shumë se 14.000 fëmijë u plagosën.

Megjithatë, asnjë snajperist nuk ka dhënë llogari mbi bazën e përgjegjësisë personale – as para gjykatave vendore dhe as atyre ndërkombëtare.

Tribunali i Hagës, në aktgjykimet kundër zyrtarëve më të lartë të Republikës Sërpska, ka konstatuar se fushata e snajperistëve kishte një qëllim: “të terrorizonte civilët e Sarajevës”.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com