Pas një muaji të plotë bojkoti, procesi mësimor në shkollën fillore “Rilindja” të Vaksincës është rikthyer në normalitet. Ky vendim vjen pasi drejtoria e shkollës, nën presionin e zhvillimeve të fundit dhe pas raportimeve mediatike, mori vendim për suspendimin e arsimtares së gjuhës angleze, S.S., për të cilën dyshohet se ka probleme shëndetësore që pengonin mbarëvajtjen e mësimit.
Drejtuesit e shkollës kanë konfirmuar se arsimtarja është larguar nga puna për një periudhë tre-mujore, kohë gjatë së cilës do të kryhen të gjitha procedurat administrative dhe ekzaminimet e nevojshme pranë Institutit të Mjekësisë së Punës. Ndërkohë, Komuna e Likovës ka njoftuar se është siguruar zëvendësimi i menjëhershëm me një arsimtare tjetër, në mënyrë që nxënësit të mos pësojnë ngecje të mëtejshme në lëndën e anglishtes.
Për të plotësuar boshllëkun e krijuar nga bojkoti katër-javor, është planifikuar që orët e humbura të kompensohen gjatë pushimit pranveror dhe fillimit të pushimeve verore. Nga ana tjetër, Inspektorati Shtetëror i Arsimit bëri me dije se po pret raportin zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të arsimtares për të vendosur përfundimisht nëse ajo i plotëson kushtet për t’u rikthyer në procesin mësimor apo do të ketë një largim të përhershëm nga puna.