Mëngjesi do të fillojë me mot të kthjellët dhe të ftohtë, ndërsa gjatë ditës do të mbizotërojë vranësirë e ndryshueshme e shoqëruar me periudha të kohëpaskohshme dielli. Do të fryjë një erë mesatare nga juglindja, e cila në zona të caktuara përgjatë luginës së Vardarit herë pas here do të marrë forcë. Në Shkup pritet mot i ngjashëm, me vranësira të ndryshueshme, intervale dielli dhe erë mesatare juglindore.
Gjatë natës dhe të premten, si pasojë e një vale të lagësht, priten reshje të kohëpaskohshme shiu, ndërsa në zonat më të larta do të ketë përzierje shiu dhe bore. Në viset malore do të bie borë, ndërsa në pjesët perëndimore reshjet do të jenë më intensive, duke arritur deri në 25 l/m², me mundësi edhe për shkarkime rrufesh lokale. Për fundjavë parashikohet mot më i ftohtë dhe me vranësira, i shoqëruar nga një erë e fortë veriore. Fatmirësisht, nga e hëna pritet stabilizim i kushteve atmosferike, me më shumë diell dhe rritje graduale të temperaturave ditore.