Toshkovski: 40 tonë kanabis të sekuestruara – kallëzim penal ndaj 10 personave, hetimet do të zgjerohen edhe më tej
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të Lartë ndaj 10 personave, të dyshuar për përfshirje në prodhim dhe shpërndarje të paligjshme të narkotikëve informon Tetovasot.
Në një paraqitje televizive, Toshkovski theksoi se dy nga të dyshuarit tashmë ndodhen në paraburgim 48-orësh, ndërsa hetimi, i cili po zhvillohet në koordinim me Prokurorinë, do të vazhdojë dhe pritet të zgjerohet edhe ndaj personave të tjerë.
Sipas tij, rasti lidhet drejtpërdrejt me sekuestrimin e rreth 40 tonëve marihuanë në kapacitete prodhuese në disa zona të vendit. Një komision kompetent ka konstatuar se droga nuk ishte trajtuar në përputhje me dispozitat ligjore.
“Indikacionet që kishim për prodhim, trajtim dhe ruajtje të paligjshme rezultuan të sakta. Droga për të cilën u vërtetua se nuk ishte trajtuar sipas ligjit është konfiskuar”, deklaroi Toshkovski.
Ai sqaroi se një pjesë e kompanive që janë kontrolluar kanë vepruar në mënyrë të rregullt dhe profesionale, por tek disa të tjera janë konstatuar shkelje serioze ligjore, çka ka çuar në sekuestrimin e marihuanës.
Një pjesë e hetimit lidhet edhe me sasinë e drogës së sekuestruar në Serbi, për të cilën, sipas autoriteteve, ekzistojnë indicie se origjina e saj është nga kapacitete prodhuese për të ashtuquajturin kanabis mjekësor në Maqedoninë e Veriut.
Toshkovski bëri të ditur se hetimet po zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet serbe, ndërsa theksoi se, duke pasur parasysh sistemin “One Stop” në pikat kufitare, çështja kryesore për autoritetet është se si ka hyrë droga në territorin e Serbisë, e jo vetëm si ka dalë nga Maqedonia e Veriut.
Ndërkohë, Qeveria ka obliguar Ministrinë e Shëndetësisë dhe komisionin përkatës, në bashkëpunim me MPB-në dhe institucionet e tjera, që të kryejnë kontrolle në të gjitha kapacitetet e licencuara për prodhimin e kanabisit, me qëllim të verifikimit të plotë të gjendjes faktike dhe sanksionimit të çdo parregullsie.
“Duhet sa më shpejt të konstatojmë gjendjen reale dhe të ndalim gjendjen kaotike që e kemi trashëguar”, theksoi Toshkovski.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se kontrollet dhe hetimet do të vazhdojnë, me fokus të veçantë në zbardhjen e të gjitha rasteve që lidhen me prodhim dhe tregti të paligjshme të drogës.Tetovasot