Toshkovski: Mbështetja gjermane, dëshmi e fortë e partneritetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe në mbrojtjen e kufijve
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme mori pjesë në ceremoninë e pranimit të donacionit nga Republika Federale e Gjermanisë, ku ishte e pranishme edhe ambasadorja e Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Petra Drexler, si dhe përfaqësues të Zyrës ndërlidhëse të Policisë Federale Gjermane informon Tetovasot.
Donacioni, me vlerë të përgjithshme rreth 600 mijë euro, i realizuar gjatë periudhës së kaluar, përfshin automjete, kamera termovizive, pajisje kompjuterike dhe softuerë, pajisje të specializuara për verifikimin e dokumenteve, si dhe automjete speciale për njësinë ajrore.
Kjo pajisje është e dedikuar për forcimin e kapaciteteve të MPB-së në fushën e menaxhimit të kufijve, luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandimit të migrantëve, analizës kriminalistiko-inteligjente dhe ekzaminimeve forenzike.
Ministri Toshkovski theksoi se ky donacion përfaqëson simbol të besimit dhe të partneritetit të fuqishëm mes dy shteteve transmeton Tetovasot.
“Ky aktivitet nuk është vetëm një pranim formal i pajisjeve, por një mesazh i qartë se Gjermania qëndron krah për krah me Maqedoninë e Veriut në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, në mbrojtjen e kufijve dhe në garantimin e sigurisë së qytetarëve. Mbështetja që marrim nuk matet vetëm me mjete materiale, por edhe me dije, trajnime dhe shkëmbim përvojash, që nënkupton forcim afatgjatë të kapaciteteve dhe profesionalizim të policisë”, deklaroi Toshkovski.
Ai shprehu falënderim të veçantë për Policinë Federale Gjermane dhe Ambasadën e Gjermanisë në Shkup për mbështetjen e vazhdueshme, duke nënvizuar se gjashtë trajnimet e realizuara për zyrtarët policorë maqedonas janë dëshmi e bashkëpunimit strategjik dhe afatgjatë ndërmjet institucioneve.
Sipas Toshkovskit, kjo ndihmë paraqet një kontribut të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale, në rritjen e nivelit të sigurisë dhe në realizimin e vizionit të përbashkët për një Maqedoni të sigurt, stabile dhe evropiane.
Nga ana tjetër, ambasadorja Drexler theksoi se me sigurimin e kësaj pajisjeje teknike vazhdon bashkëpunimi i besueshëm dhe i gjatë policor ndërmjet dy vendeve.
“Forcimi i kapaciteteve të Maqedonisë së Veriut në mbikëqyrjen kufitare, në luftën kundër trafikimit të njerëzve, migracionit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar është në interesin tonë të përbashkët evropian. Së bashku punojmë për forcimin e Evropës – sot dhe në të ardhmen”, u shpreh ambasadorja gjermane.







