Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet të zhvillojë një takim me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun. Ky takim vjen në kuadër të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri dhe për të shmangur zgjedhjee e parakohshme.

Nga Qeveria e Kosovës kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se takimi mes tyre do të zhvillohet në ora 14:00.

“Kryeministri Kurti takon sot kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku në orën 14:00 në hapësirat e Kuvendit”, tha zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu për Gazetën Online Reporteri.net.

Mbrëmjen e së dielës, 22 shkurt, ai zhvilloi një takim me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Ky i fundit tha se partia që ai drejton nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pengesë për proceset shtetërore.

Sipas afateve kushtetuese, Kosova duhet të zgjedhë presidentin e ri deri më 4 mars, pasi mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, i përfundon në fillim të prillit.

Osmani ka shprehur ambicien për një mandat të dytë 5-vjeçar, por deri tani nuk është e qartë nëse i ka votat e nevojshme për rizgjedhje. Ndërkohë, asnjë emër tjetër nuk është zyrtarizuar si kandidat potencial.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume