Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve me propozim të Prokurorisë Publike, sot në sallën e gjyqit në Burgun e Idrizovës pritet të vazhdojë gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën.
Në seancat e kaluara u dëgjuan disa dëshmitarë që ndodheshin në diskotekë natën tragjike. Për seancën e sotme, sipas njoftimeve, pritet të dëgjohen edhe pesë dëshmitarë të tjerë.
Të pandehurit, të cilët deklaruan se nuk ndihen fajtorë, përmes avokatëve të tyre kundërshtuan bazueshmërinë e aktakuzës.
Mbrojtja pretendon se të akuzuarit nuk kanë ndërmarrë veprime që do të mund të çonin në shpërthimin e zjarrit, se posedonin dokumentacion të vlefshëm dhe se tragjedia është rezultat i dështimeve institucionale, e jo i fajit individual. Ata paralajmëruan paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve që, sipas tyre, do ta mbështesin këtë tezë.
Më 16 mars 2025, gjatë një performance të grupit DNK në diskotekën “Puls” në Koçan, shpërtheu zjarr ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën. Në objekt kishte më shumë vizitorë se sa lejohej, përfshirë edhe të mitur, ndërsa mjete piroteknike ishin aktivizuar pa leje. Objekti kishte funksionuar ilegalisht për më shumë se një dekadë, pa kushte minimale teknike, me rikonstruksione pa leje dhe pa sistem të mbrojtjes kundër zjarrit.
Për këtë rast janë të akuzuar mbi 30 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Në mesin e tyre ka pronarë lokalesh, menaxherë, inspektorë, ish-kryetarë komunash, pjesëtarë të sigurimit dhe nëpunës shtetërorë.
Procesin gjyqësor e udhëheqë gjyqtarja Dijana Gruevska Ilievska, ndërsa Prokuroria përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.