Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot deklaroi se politika nuk duhet të përzihet në gjyqësi dhe se ai nuk do ta komentojë kthimin në vend të Artan Grubit, ish-zëvendëskryeministër nga radhët e BDI-së i dyshuar për keqpërdorime.
“Kuvendi dhe unë si kryetar i Kuvendit nuk është mirë të komentoj vendime politike, por atë që e kam deklaruar publikishst që është parimore dhe mund ta përsëris se është koha e fundit të ndalojmë së përzieri në gjyqësi. Ai perceptim tek qytetarët se ka ndonjë marrëveshje, lë ndjenjë të keqe tek të gjithë qytetarët, kështu që porosia ime do të ishte përfundimisht secili institucion ta kryejë punën e vet, në këtë pjesë gjyqësori dhe prokuroria. Ka proces, le ta kryejnë punën e tyre me ndërgjegje dhe me profesionalizëm. Kjo do të mjaftojë që të gjithë qytetarët të jenë të kënaqur. Në fund të fundit e rëndësishme është drejtësia”, deklaroi Gashi.
Gashi, siç tha, nuk mendon se kthimi i Grubit është vendim politik. “Nuk kam asnjë informatë, nuk mund të pohoj diçka që nuk e di”, tha ai.
Ai theksoi se “ka ardhur koha që të gjithë të vetëdijesohemi se nuk nuk kemi kohë për të humbur për vendosjen e shtetit juridik”.