Skandal në Policinë e Shtetit: Zyrtari i sigurimit të Kuvendit kapet duke drejtuar mjetin pa patentë shoferi
Një zyrtar policie, i punësuar në Njësinë për Sigurimin e Kuvendit të RMV-së, është kapur duke drejtuar automjetin pa pasur leje drejtimi, gjë që ka çuar në ngritjen e një kallëzimi penal dhe konfiskimin e menjëhershëm të automjetit të tij.
Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Kriminale dhe Standardeve Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka dorëzuar kallëzimin në Prokurorinë Publike Shkup kundër personit me iniciale A.B., nën dyshimin për veprën penale “Drejtim i pakujdesshëm i mjetit motorik” sipas nenit 297-a të Kodit Penal.
Polici, i cili shërbente në Sektorin për Sigurimin e Objekteve me Interes Shtetëror, u ndalua më datë 12.02.2026 në rrugën “11 Tetori” në Shkup derisa po drejtonte mjetin e tij personal tip BMW pa dhënë provimin e shoferit dhe pa poseduar leje drejtimi, me ç’rast, me urdhër të prokurorit publik, automjeti i është sekuestruar.
Përveç procedurës penale, ndaj tij është dorëzuar edhe propozim për fillimin e procedurës disiplinore për përcaktimin e përgjegjësisë në punë. Ky rast vjen vetëm një javë pasi një tjetër punonjës policie u kap në rrethana të ngjashme pa patentë shoferi, të cilit iu sekuestrua arma e shërbimit dhe u dërgua për ekzaminim të detyrueshëm psikiatrik dhe psikologjik, duke ngritur shqetësime mbi disiplinën brenda radhëve të forcave të rendit.