Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur në seancën solemne që po mbahet në Kuvendin e Kosovës me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, duke kujtuar sakrificën e familjes së Adem Jashari dhe luftën për liri.

Kurti tha se ngjarjet e ndodhura në Prekaz përbëjnë një moment historik për Kosovën dhe simbol të qëndresës përballë shtypjes, raporton Klankosova.tv.

“Në ato ditë të përballjes së vullnetit për liri me aparatin e shtypjes, në Prekaz historia u shkrua me zjarr dhe me gjak, toka u bë altar i lirisë dhe një familje u bë simbol kombëtar. Figura e komandantit legjendar Adem Jashari, e lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij, u bë personifikim i vendosmërisë për të mos e pranuar nënshtrimin. Kjo sakrificë u përjetua në vetëdijen dhe kujtesën tonë kolektive si mësim i përhershëm se liria paguhet shtrenjtë dhe se ajo është vlerë e panegociueshme dhe e drejtë e patjetërsueshme. Në rrjedhën historike të përpjekjeve të gjata politike e shoqërore për të drejta, barazi dhe dinjitet, kthesa në Prekaz artikuloi qartë aspiratën e popullit të Kosovës për çlirim nga Serbia pushtuese. Epopeja e UÇK-së u bë thirrje për mobilizim, për bashkim dhe artikulim të qartë të synimit tonë për shtetësi dhe mëvetësi”, tha Kurti.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume