Ish-emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, ka përshëndetur dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe rrjedhimisht çuarjen e vendit në zgjedhje të reja.
Në një postim në X, ai ka thënë se ky është lajm i mirë dhe se “Zoti po na përgatit për kthimin e Hashim Thaçit”.
“Thaçi për kryeministër”, shkroi Grenell.
Të enjten mbrëma, dështoi zgjedhja e presidentit të ri të vendit pasi në seancën e mbajtur në orët e vona, nuk pati kuorum për të vazhduar me votim.
Rrjedhimisht, të premten në mëngjes, Presidentja Osmani njoftoi se ka dekretuar vendimin për shpërndarjen e Parlamentit dhe çuarjen e vendit në zgjedhje.
Vendimi i Osmanit po kundërshtohet nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila po thotë se ka afat 60-ditor deri në ezaurimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit, dhe ka paralajmëruar se do ta dërgojë dekretin në Kushtetuese për interpretim.